Rudolph: Pas tejkalimit të krizës institucionale, Kosova mund të rikthejë vrullin në rrugën evropiane

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, vlerësoi se përfundimi i krizës institucionale i ka hapur vendit mundësinë për ta ndjekur sërish në mënyrë aktive agjendën e tij evropiane.

Të lidhura

None found

Rudolph i bëri këto komente gjatë pritjes së organizuar sonte në kuadër të shënimit të “Ditës së bashkimit gjerman”.

Ai tha se pret që bashkëpunimi dypalësh me Kosovën dhe angazhimi i saj në procesin evropian të vijojnë me energji të re.

“Zgjidhja e krizës institucionale dhe krijimi i institucioneve të qëndrueshme e kanë vendosur Kosovën në një pozicion ku mund ta ndjekë përsëri aktivisht agjendën evropiane. Megjithatë, rruga përpara nuk do të jetë gjithmonë e lehtë. Ajo do të kërkojë debate dhe vendime të vështira, si brenda vendit, ashtu edhe në raport me të tjerët. Edhe përvoja e Gjermanisë e dëshmon këtë”, deklaroi ambasadori Rudolph.

Ambasadori gjerman nënvizoi gjithashtu rëndësinë që Kosova të mos heqë dorë nga objektivi i integrimit në strukturat evropiane.

“E kuptoj padurimin në Kosovë për një proces që duket se po zgjat shumë dhe e ndaj këtë ndjenjë. Por synimi për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat evropiane mund të jetë sot edhe më i rëndësishëm se në momentin kur vendi e nisi këtë rrugë”, u shpreh ai.

Sipas Rudolph, situata politike dhe e sigurisë në kontinent ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Ai përmendi se lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e pestë, ndërsa Gjermania dhe disa vende të tjera janë përballur me të ashtuquajturat sulme hibride.

Në këtë rrethanë, ai tha se Kosova nuk mund dhe nuk duhet të fokusohet vetëm te zhvillimet e brendshme, por duhet ta konsiderojë integrimin evropian si një kontribut aktiv për paqen dhe sigurinë në Evropë.


Shtuar më 8.10.2026 20:27