Qeveria italiane po vlerëson mundësinë e uljes së taksave për benzinën dhe naftën, ndërsa çmimet e karburanteve vazhdojnë të rëndojnë financat e konsumatorëve. Kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi se ekzekutivi është i gatshëm të ndërhyjë sërish për të lehtësuar këtë barrë.
Të lidhura
None found
Pas përfundimit të samitit të vendeve mesdhetare Med9, të zhvilluar në Split të Kroacisë, Meloni tha se qeveria po shqyrton përdorimin e rreth 160 milionë eurove për të zbutur kostot e karburanteve.
Sipas mediave italiane, ende nuk është marrë një vendim nëse fondet do të përdoren menjëherë apo do të ruhen deri në përfundimin e masave që janë aktualisht në fuqi për kufizimin e çmimeve.
Skema e parashikuar do të mbështetej te përdorimi i të ardhurave shtesë nga TVSH-ja, të krijuara si pasojë e rritjes së çmimeve, për të financuar uljen e akcizës.
Ndërkohë, kryeministrja italiane i ka kërkuar Komisionit Europian një qasje më fleksibël në zbatimin e rregullave buxhetore. Ajo argumenton se inflacioni i ka sjellë shtetit italian miliarda euro shpenzime shtesë, të cilat nuk kanë ardhur si pasojë e vendimeve të reja të qeverisë.
Meloni veçoi mes tyre rritjen automatike të pensioneve, përfitimeve sociale dhe kostove të projekteve publike.
Burime europiane bëjnë të ditur se më 8 tetor Komisioni pritet të miratojë aktivizimin e klauzolës kombëtare të fleksibilitetit, të kërkuar nga Italia për energjinë dhe mbrojtjen. Çështja pritet të shqyrtohet më tej në mbledhjen e ministrave të Financave të BE-së në nëntor.
Megjithatë, Brukseli ka sqaruar se rregullat në fuqi parashikojnë që inflacioni më i lartë se pritshmëritë të merret në konsideratë gjatë vlerësimit të shpenzimeve publike. Kjo, sipas Komisionit, nuk i jep automatikisht Italisë të drejtën për të rritur shpenzimet.
Debati kryesor lidhet me kërkesën e Romës për të përdorur të ardhurat shtesë të krijuara nga inflacioni për financimin e masave kundër krizës energjetike, një praktikë që rregullat europiane nuk e lejojnë automatikisht.
Meloni bëri të ditur se këtë çështje e ka diskutuar me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndërsa shtoi se shqetësime të ngjashme ka shprehur edhe Greqia.







