Mbrojtja Civile paralajmëron reshje intensive më 8 dhe 9 tetor në disa qarqe

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi këtë të enjte se gjatë pasdites së sotme dhe përgjatë ditës së nesërme priten reshje intensive, kryesisht në formë lokale, në disa qarqe të vendit.

Sipas njoftimit, reshjet më të forta parashikohen në Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Ndërsa në Kukës, Dibër dhe Tiranë priten reshje me intensitet më të ulët.

Të lidhura

None found

Bazuar në parashikimin e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), gjatë pasdites së sotme, 8 tetor, si dhe nesër, 9 tetor, në qarqet Shkodër dhe Lezhë do të ketë reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Në qarkun Durrës parashikohen reshje intensive.

Në qarqet Kukës, Dibër dhe Tiranë reshjet pritet të jenë nga mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa në pjesën tjetër të vendit do të regjistrohen kryesisht reshje të dobëta deri mesatare.

Agjencia paralajmëron se, në pjesën më të madhe të qarqeve, reshjet mund të shoqërohen me shtrëngata. Si pasojë, mund të ketë vërshime uji në zonat urbane, përmbytje lokale dhe rrëshqitje dherash, veçanërisht në Shkodër, Lezhë dhe Durrës.

Qytetarëve u kërkohet të kenë kujdes të shtuar, të mos lëvizin pranë lumenjve, përrenjve dhe zonave me rrezik, si dhe të shmangin kalimin në rrugë të përmbytura.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile këshillon ndjekjen e vazhdueshme të njoftimeve zyrtare dhe respektimin e udhëzimeve të autoriteteve vendore dhe strukturave të mbrojtjes civile.

Në rast emergjence, telefononi numrat e emergjencës.

Më të sigurt së bashku!