Gjini: Bllokadat politike i përkasin së shkuarës, Aleanca do të jetë opozitë e pakompromis

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen në postin e presidentes së Republikës së Kosovës. Sipas tij, përfundimi i procesit të konsolidimit institucional shënon mbylljen e periudhës së bllokadave politike dhe zgjedhjeve të përsëritura.

Të lidhura

None found

Përmes një postimi në Facebook, Gjini e ka cilësuar këtë zhvillim si një ditë të rëndësishme për stabilitetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.

“Urime dhe suksese Presidentes së re të Republikës, Justina Shiroka-Pula!”, ka shkruar ai.

Gjini ka deklaruar se Aleanca e mbyll këtë proces me dinjitet, pasi, siç ka theksuar, nuk është përfshirë në marrëveshje politike apo kalkulime të çastit.

Ai ka rikujtuar se Aleanca ishte subjekti i parë që pas zgjedhjeve paraqiti një ofertë të qartë dhe pa kushte, me qëllim që Kosova të mos përballej me zvarritje dhe të mos rikthehej në zgjedhje.

“Oferta jonë pa asnjë kusht ishte ekskluzivisht parimore, për shtetin dhe për qytetarët. Nuk bëmë asnjë pazar dhe secilin premtim dhe qëndrim e mbajtëm deri në fund”, ka deklaruar Gjini.

Sipas tij, përgjegjësia për drejtimin e vendit tashmë u takon forcave që kanë marrë pushtetin.

“Koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin. Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren”, ka shkruar kreu i Aleancës.

Gjini ka bërë të ditur se partia e tij do të jetë e pranishme në të gjitha komunat e Kosovës dhe do ta ushtrojë rolin e një opozite të pakompromis.

“Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Ne do të jemi opozitë e pakompromis. Do të flasim hapur dhe me emër për secilën shkelje, në secilin institucion dhe në çdo nivel të këtij pushteti”, ka deklaruar ai.


Shtuar më 8.10.2026 14:47