Akademikja Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Kosovës. Para këtij emërimi, ajo drejtonte Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Të lidhura
None found
Siç bëhet e ditur në biografinë e publikuar në faqen e ASHAK-ut, Shiroka-Pula ka lindur në Prishtinë më 1953. Aty përfundoi shkollën fillore në vitin 1968 dhe të mesmen më 1972. Në vitin 1976 u diplomua me sukses në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Më pas ndoqi studimet pasuniversitare për Teorinë dhe politikën e zhvillimit ekonomik në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, ku u diplomua më 1984. Biografia shënon gjithashtu se ajo mori doktoratën në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës më 1977, me disertacionin “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Pas përfundimit të studimeve, punoi për një periudhë të shkurtër në Bankën Popullore të Kosovës. Më 1978 nisi angazhimin akademik në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, si asistente në lëndën “Kërkimet Operacionale”. Ajo përparoi në të gjitha nivelet akademike dhe në vitin 2004 u zgjodh Profesore Ordinare. Në karrierën universitare ka qenë Shefe e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit të UP-së dhe e Bordit Drejtues të UP-së. Ka ndjekur studime e trajnime post-doktorale jashtë Kosovës, përfshirë në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në SHBA.
Përveç veprimtarisë akademike, Shiroka-Pula ka ushtruar edhe detyra të larta shtetërore. Ajo ishte Ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës nga viti 2008 deri më 2011, ndërsa në periudhën 2011–2014 përfaqësoi PDK-në si deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Presidentja ka lidhje të shumta me shqiptarët e Maqedonisë, raporton portali Lideri.mk. Ato përfshijnë marrëdhënie profesionale me profesorë universitarë në disa universitete të Maqedonisë, si dhe lidhje familjare: nusja e djalit të Shiroka-Pulës është nga Prespa.
Rrjetit të saj të lidhjeve i shtohen edhe miqësi të shumta me kolegë të fushës, por edhe me persona jashtë ekonomisë, disiplinë në të cilën ajo ka ndërtuar karrierën e saj profesionale./Lideri







