Gjykata Themelore Penale në Shkup ka vendosur masën e paraburgimit dhe atë të arrestit shtëpiak ndaj dy drejtuesve financiarë të dyshuar të SH.A. “Lotaria Shtetërore”, pas propozimit të Prokurorisë për veprën penale “përvetësim në detyrë”.
Të lidhura
None found
Sipas Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, të dyshuarit kanë vepruar si bashkëkryerës gjatë vitit 2024. Ata akuzohen se nuk kanë derdhur dhe depozituar në llogaritë transaksionale të kompanisë, pranë bankave komerciale, të gjithë qarkullimin ditor që u ishte besuar nga pikat e shitjes.
Autoritetet dyshojnë se menaxherët e kanë përvetësuar për përdorim personal shumën prej 1.3 milion eurosh, e cila u ishte besuar në kuadër të detyrës së tyre.
I dyshuari i parë ushtronte funksionin e Drejtorit të Departamentit të Financës dhe Kontabilitetit, ndërsa i dyshuari i dytë ishte Shef i Çështjeve Financiare në Kompaninë Shtetërore të Lotarisë për Organizimin e Lojërave të Fatit.
Prokuroria vlerëson se, duke përdorur kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me ligj, ata kanë bashkëpunuar në ndërmarrjen e veprimeve të kundërligjshme me synim sigurimin e përfitimit pasuror për veten.
Dyshimet lidhen me veprën penale të përvetësimit në detyrë, të parashikuar në nenin 354, paragrafi 5, në lidhje me paragrafët 3 dhe 1 të Kodit Penal.






