Udhëtari mohoi se kishte diçka për të deklaruar, por në veturë iu gjetën mbi 30 mijë euro

Zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndaluan përpjekjen për të futur para të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës. Rasti u zbulua gjatë kontrolleve të rregullta, në kuadër të bashkëpunimit për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të Doganës, në pikën kufitare të Bërnjakut për kontroll u përzgjodh një automjet me targa të huaja, që po hynte në Kosovë.

Gjatë intervistimit, udhëtarit iu kërkua të tregonte nëse kishte mallra apo mjete monetare për të deklaruar. Ai u përgjigj se nuk kishte asgjë për të deklaruar.

Dyshimet e krijuara gjatë kontrollit çuan në kontrollimin e veturës dhe të udhëtarit. Në një hapësirë të fshehur në dyshemenë e automjetit, zyrtarët gjetën 30,550 euro para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar, bëhet e ditur në njoftimin e Doganës.

Doganat rikujtojnë se, sipas Nenit 33 të Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, kushdo që hyn në Republikën e Kosovës ose largohet prej saj me 10,000 euro apo më shumë, duhet t’ia deklarojë me shkrim shumën dhe burimin e verifikueshëm të parave zyrtarit doganor.


Shtuar më 8.10.2026 14:03