Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se të gjithë minatorët e mbetur të bllokuar në minierën e Trepçës në Stan Tërg janë nxjerrë në sipërfaqe. Ajo publikoi edhe një fotografi të tyre pas përfundimit të operacionit.
Të lidhura
None found
Sipas Rizvanollit, minatori i fundit doli nga miniera në orën 02:50 të mëngjesit, pas rikthimit të energjisë elektrike. Ndërkohë, ndërrimi i parë i punëtorëve ka vijuar aktivitetin normalisht.
“Të gjithë minatorët kanë dalë në sipërfaqe, të fundit në orën 02:50 të mëngjesit, pas rikthimit të furnizimit me energji në minierë. Ndërrimi i parë ka nisur punën normalisht”, shkroi Rizvanolli.
Ajo shprehu mirënjohje për ekipet e Trepçës, KOSTT-it dhe të gjithë personat që ndihmuan në menaxhimin e situatës.
Sipas njoftimit zyrtar të ndërmarrjes “Trepça” Sh.A., defekti u shfaq më 7 tetor 2026, rreth orës 19:30, në trafon Tuneli i Parë, në sistemin 35 kV.
Në çastin kur u ndërpre energjia, në minierë ndodheshin 63 minatorë, të cilët ishin pjesë e ndërrimit të dytë dhe pritej ta përfundonin punën në orën 23:00.
Pas avarisë, 54 prej tyre u larguan nga miniera përmes shkallëve emergjente. Nëntë minatorët e tjerë qëndruan brenda deri në rikthimin e furnizimit elektrik.
Energjia u rikthye në orën 02:30 të mëngjesit të 8 tetorit, ndërsa nëntë minatorët e mbetur dolën në sipërfaqe 20 minuta më vonë, në orën 02:50.




