Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka lidhur kontratë në vlerë prej 3 milionë e 514 mijë e 280 euro e 37 centë për blerjen e barnave nga lista esenciale.
Të lidhura
None found
Procedura e prokurimit ishte ndarë në 14 lote, ndërsa shuma e parashikuar për këtë tender kalonte 5.5 milionë euro.
Kontrata e dhënë përfshin 10 lote dhe furnizimi synon të mbulojë nevojat e të gjitha njësive të sistemit spitalor të SHSKUK-së.
Vlerën më të madhe e ka loti për erythropoiesis-stimulating agents, barna që nxisin palcën e eshtrave të prodhojë më shumë qeliza të kuqe të gjakut. Për këtë lot janë ndarë 1,707,744.60 euro.
Lotit të dytë, për coagulation factor IX, human, i janë caktuar 469,440 euro. Ky produkt përdoret në trajtimin e hemofilisë B dhe gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale për parandalimin e gjakderdhjes.
Përmes lotit 6, SHSKUK-ja do të furnizohet me kapsula nilotinib, me vlerë 455 mijë e 700 euro. Ky medikament përdoret për trajtimin e leukemisë.
Furnizimi me gemcitabine pluhur për injeksion, i përfshirë në lotin 9, është kontraktuar për 335 mijë e 172 euro.
Kontrata për trastuzumab, pluhur për tretësirë për infuzion dhe pjesë e lotit 4, kap vlerën 187,795 euro.
Në lotin 12 janë përfshirë 121 mijë e 800 euro për blerjen e pemetrexed, një medikament që përdoret kryesisht në trajtimin e kancerit të mushkërive.
Ndërkaq, loti 8 për sorafenib është dhënë në vlerë prej 109 mijë e 24 euro e 11 centë. Ky bar shërben për trajtimin e pacientëve me kancer të mëlçisë ose të tiroides.
Për imatinib, të përfshirë në lotin 10, është dhënë kontratë në vlerë prej 60,102 eurosh. Përdorimi kryesor i këtij medikamenti lidhet me disa lloje të kancerit të gjakut dhe tumore të rralla.
Loti 5, që përfshin midazolam, është kontraktuar për 39 mijë e 973 euro e 26 centë. Ky medikament përdoret për sedacion dhe për induksionin e anestezisë së përgjithshme.
Vlerën më të ulët ndër lotet e dhëna e ka loti 7, i cili parasheh furnizim me sunitinib.
Për sunitinibin janë ndarë 27 mijë e 529 euro e 40 centë. Ky medikament përdoret kryesisht për trajtimin e kancerit të veshkave dhe disa tumoreve specifike.
Të gjitha lotet i janë dhënë kompanive që kanë paraqitur ofertat me vlerën më të ulët.
Afati i paraparë për realizimin e furnizimit është 24 muaj.





