Dy zyrtarët korrektues nga Kosova, të cilët akuzohen për sulm ndaj një të burgosuri në burgun Vestre të Kopenhagës, janë liruar pas seancës paraprake të zhvilluar të mërkurën.
Të lidhura
None found
Gjykata ka arritur në përfundimin se nuk paraqitet rrezik që ata të largohen, pasi të dy punojnë për Shërbimin Danez të Burgjeve dhe kanë vendbanim në Danimarkë, raportoi media daneze “Avisen”.
Pavarësisht lirimit, ata vijojnë të jenë nën akuzë dhe nuk e pranojnë fajësinë, bëjnë të ditur mediat daneze DR dhe TV 2.
Ngjarja, sipas aktakuzës, ka ndodhur më 5 tetor. Dy zyrtarët dyshohet se kanë vepruar së bashku, në bazë të një marrëveshjeje ose mirëkuptimi paraprak, duke e goditur të burgosurin disa herë në fytyrë dhe në trup.
TV 2, duke iu referuar policisë, raportoi se njëri prej tyre dyshohet se e ka shtyrë të burgosurin mbi shtrat dhe e ka goditur në fytyrë. Më pas, sipas dyshimeve, zyrtari i dytë e ka qëlluar disa herë me grushte në fytyrë dhe trup.
Arrestimi i dy zyrtarëve u krye më 6 tetor, ndërsa të mërkurën ata u paraqitën para gjykatës për seancën paraprake.
Vlerësim pozitiv për zyrtarët korrektues nga Kosova
Pas këtij rasti, Shërbimi Danez i Burgjeve ka njoftuar se do të rishikojë mënyrën e trajnimit të zyrtarëve korrektues nga Kosova.
Drejtoresha e Shërbimit, Ina Eliasen, tha se ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi mjaftueshmërinë e trajnimit dhe praktikës që ndjekin zyrtarët kosovarë.
“Është e qartë se, kur ndodh diçka e tillë, ne do të shqyrtojmë nëse trajnimi ynë për ta është mjaftueshëm i mirë. Po ashtu, do të shohim nëse praktika jonë me ta është mjaftueshëm e mirë”, deklaroi Eliasen, sipas “Ni.dk”.
Ajo shtoi se, deri tani, përvoja me zyrtarët korrektues nga Kosova ka qenë pozitive. Eliasen e përshkroi rastin e fundit si një incident të izoluar, duke theksuar se ai dallon dukshëm nga ajo që është vërejtur më herët.
Incidenti ndodhi të hënën në një sektor të burgut Vestre. Sipas aktakuzës së policisë, dy zyrtarët dyshohet se, duke vepruar bashkë dhe me mirëkuptim të ndërsjellë, kanë goditur disa herë një të burgosur me grushte.
Në momentin e ngjarjes, të dy ishin në detyrë dhe e kishin përfunduar periudhën gjashtëmujore të trajnimit dhe praktikës.
Megjithatë, edhe pas përfundimit të praktikës, zyrtarët nga Kosova duhet të punojnë të shoqëruar nga kolegë danezë nëse qëndrojnë dhe angazhohen për një periudhë të caktuar në Danimarkë, sqaroi Eliasen.
“Ata janë gjithmonë bashkë me zyrtarë danezë. Gjatë trajnimit punojnë me kolegët e tyre dhe nuk punojnë të vetëm”, tha ajo.
E pyetur nëse ekziston besimi që zyrtarët që do të punojnë në Kosovë do t’i trajtojnë në mënyrën e duhur të burgosurit që Danimarka planifikon t’i dërgojë atje, Eliasen u përgjigj pozitivisht.
Pikërisht për këtë arsye, Danimarka synon të vendosë një mekanizëm të posaçëm mbikëqyrjeje në burgun që ndodhet në Kosovë.
“Është larg, por qëllimi ynë është që atje të funksionojë njësoj si në Danimarkë. Për këtë arsye duhet të kemi një lloj mbikëqyrjeje në korridoret e atjeshme. Për këtë po punojmë”, deklaroi ajo.
Eliasen bëri të ditur se ideja për një sistem të tillë kontrolli ishte diskutuar edhe më parë, ndërsa incidenti i fundit tashmë është përfshirë në këtë proces.
Danimarka parashikon krijimin e 300 vendeve për të burgosur në Kosovë.
Marrëveshja për transferimin e të burgosurve në Kosovë u arrit në vitin 2021. Ajo parashikon që shtetasit e huaj të dënuar në Danimarkë, të cilët pas përfundimit të dënimit duhet të dëbohen, ta vuajnë dënimin në Kosovë.
Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes është shtyrë disa herë. Në shtator, ministri danez i Drejtësisë, Nicolai Wammen, bëri të ditur se kishte pasur një tjetër shtyrje.
Sipas planit të tanishëm, hapësirat e burgut në Kosovë pritet të vihen në përdorim në fund të vitit 2027 ose, më së voni, në fillim të vitit 2028.
Organizata e Burgjeve të Danimarkës njoftoi se deri tani 15 zyrtarë korrektues nga Kosova e kanë përfunduar trajnimin në Danimarkë, ndërsa 19 të tjerë ndodhen aktualisht në trajnim.
Ndërkohë, ministri Wammen ka konfirmuar se palët që mbështesin reformën e dënimeve do të marrin informacion lidhur me incidentin.
“Incidentin në burgun Vestre e konsideroj shumë serioz. Rasti i është dorëzuar policisë dhe tani do të vijojë rrugën e tij në sistemin e drejtësisë”, tha Wammen në një deklaratë me shkrim.






