Justina Shiroka-Pula është ekonomiste, profesoreshë universitare dhe ish-ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës. Në dhjetor 2025 ajo u zgjodh në drejtimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke u bërë gruaja e parë në këtë detyrë.
Të lidhura
None found
E lindur në Prishtinë në vitin 1953, Shiroka-Pula arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje. Ajo u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1976, ndërsa në Zagreb përfundoi, më 1984, studimet pasuniversitare në teorinë dhe politikën e zhvillimit ekonomik. Më vonë, në Universitetin e Prishtinës, mbrojti doktoratën me temën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Hapin e parë në karrierë e hodhi në Bankën Popullore të Kosovës. Dy vjet më pas, në vitin 1978, nisi punën akademike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Veprimtaria e saj pedagogjike dhe kërkimore është përqendruar në fusha si menaxhmenti, ndërmarrësia dhe procesi i vendimmarrjes në biznes.
Angazhimi i saj nuk është kufizuar vetëm në universitet. Shiroka-Pula shërbeu si ministre e Energjisë dhe Minierave nga viti 2008 deri më 2011, si përfaqësuese e Partisë Demokratike të Kosovës. Në periudhën 2011–2014 ajo ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.
Pas luftës, ajo u përfshi edhe në veprimtari të shoqërisë civile, duke u angazhuar për fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe zhvillimin e ndërmarrësisë. Sipas të dhënave të biografisë së saj, ka kryer studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit dhe në Universitetin e Arizonës.
Pula-Shiroka është pjesë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që prej vitit 2016. Në postin e kryetares ajo pasoi akademikun Mehmet Kraja.
