Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli në Lezhë për protestën kombëtare që ka thirrur për të enjten përpara Parlamentit.
Gjatë takimit, ai sqaroi se PD-ja nuk synon të marrë drejtimin e protestës që po zhvillohet në kryeqytet, ndërsa u shpreh se e mbështet atë dhe do të angazhohet që të mos përçahet apo manipulohet.
Të lidhura
None found
“Në Tiranë po zhvillohet një protestë. Qëndrimi ynë, i mbështetur në parime të drejta morale, është se nuk e kemi thirrur dhe nuk do ta drejtojmë atë tubim. Megjithatë, e mbështesim plotësisht dhe do të bëjmë gjithçka që të mos ketë përçarje apo manipulim”, deklaroi Berisha.
Ai bëri të ditur se protesta e së enjtes do të jetë një tubim kombëtar dhe qytetar. Sipas tij, në disa bashki protestuesit, mes tyre demokratë dhe socialistë, po kërkojnë të marrin bashkinë e tyre.
Berisha tha se para Parlamentit do të mblidhen qytetarë me bindje të ndryshme politike për të mbrojtur një të drejtë dhe qeverisjen vendore, të cilën e cilësoi të domosdoshme për qytetarët.
“Nga Lezha i ftoj shqiptarët të enjten, në orën 10:00, para Parlamentit”, u shpreh ai.
Berisha e kritikoi reformën e Edi Ramës, duke e cilësuar “antiqytetare” dhe “antishqiptare”, si dhe duke thënë se me të synohet që Shqipëria të braktiset edhe më shumë.
