Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar para Kuvendit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Ai ka kundërshtuar kërkesat e protestuesve për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se LVV-ja më herët kishte protestuar për të shmangur, sipas tij, dëmtimin e shtetit.
Rrustemi tha se Lëvizja Vetëvendosje e kishte mbështetur në lexim të parë ligjin e propozuar dhe ishte e gatshme ta votonte atë edhe në votimin përfundimtar. Në të njëjtën kohë, ai akuzoi opozitën se kishte penguar disa iniciativa të LVV-së.
“Ne kemi protestuar për të parandaluar dëme ndaj shtetit – edhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale, kurse këta kundër dëmeve që vetë i kanë krijuar. Po ku të kishim ne një parti në pushtet që është e gatshme të votojë çfarë propozon opozita. Po neve nuk na kanë votuar as rezolutat kundër gjenocidit të Serbisë, ndërsa ne ia votuam ligjin në lexim të parë për gabimet e tyre të vitit 2015 dhe ishim të gatshëm ta votonim përfundimisht”, ka shkruar ai.
“Thonë se e kanë të rëndësishëm Ligjin, thonë se duhet ta rrëzojmë vendimin e Gjykatës dhe pikërisht kur u thua, ejani që t’i bëjmë, refuzojnë. Le ta votojmë presidentin që ta mundësojmë edhe mbrojtjen me strategji shtetërore, edhe ta votojmë ligjin”, ka vijuar Rrustemi.
