Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, me të cilin Jelena Gjukanoviq u dënua me gjashtë vjet heqje lirie për veprën penale të spiunazhit.
Të lidhura
None found
Vendimi dënues ishte shpallur fillimisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 prill 2026.
Ankesa kundër këtij aktgjykimi e kishte depozituar avokati mbrojtës i Gjukanoviqit, Predrag Milkoviq, duke pretenduar shkelje thelbësore të rregullave procedurale penale, konstituim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe zbatim të gabuar të ligjit material.
Mbrojtja kishte kërkuar që e pandehura të lirohet nga akuza ose që çështja të kthehet për rigjykim.
Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte parashtruar po ashtu ankesë lidhur me masën e dënimit, duke kërkuar që Gjukanoviqit t’i shqiptohet një dënim më i rëndë me burgim.
Prokuroria e Apelit kishte propozuar me shkrim që aktgjykimi i Themelores të ndryshohet duke e ashpërsuar dënimin për të akuzuarën, ndërsa ankesa e mbrojtjes të hidhet poshtë si e pabazuar.
Edhe gjatë seancës së Kolegjit të Apelit të mbajtur më 25 shtator 2026, pala mbrojtëse kishte deklaruar se qëndron plotësisht pas ankesës së saj me shkrim.
Në aktgjykimin e datës 30 shtator 2026, Gjykata e Apelit konstatoi se vendimi i kontestuar nuk përmban shkelje esenciale të procedurës penale siç pretendohej nga mbrojtja.
Sipas vlerësimit të Apelit, dispozitivi i aktgjykimit përshkruan në mënyrë të plotë veprimet inkriminuese të veprës penale, ndërsa aktgjykimi është i qartë, i lexueshëm dhe arsyetimi përmban shpjegime të plota për faktet vendimtare.
Gjykata e shkallës së dytë i cilësoi si të pabazuara edhe pretendimet e mbrojtjes se kontrolli i telefonave të Gjukanoviqit ishte kryer në mënyrë të paligjshme, duke u mbështetur në një aktvendim të mëparshëm të Gjykatës së Apelit të datës 20 janar 2026.
Pretendimet për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike u refuzuan gjithashtu, me arsyetimin se Gjykata Themelore e kishte konstatuar drejt dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike, të cilën e kishte arsyetuar në aktgjykimin e ankimuar.
Në vendimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të qarta dhe të plota për mënyrën se si e akuzuara Jelena Djukanovic kishte kryer veprën penale, dhe se kolegji penal pajtohet me këtë përfundim si të drejtë dhe ligjor, pasi nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor rezulton e vërtetuar se e akuzuara kishte marrë pjesë aktive në veprimtarinë informative të shërbimit të huaj — BIA-s së Serbisë.
Sipas Apelit, u refuzuan si të pabazuara edhe pretendimet për shkelje të ligjit penal, sepse nga gjendja faktike e provuar, në veprimet e Gjukanoviqit ekzistojnë të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale për të cilën ajo u shpall fajtore.
Lidhur me ankesën e PSRK-së për dënimin, Apeli e cilësoi si të pabazuar, duke konstatuar se dënimi i shqiptuar nga Themelorja është i drejtë, i ligjshëm dhe në përpjesëtim me rëndësinë e veprës penale.
Apeli pranoi vlerësimin e rrethanave për matjen e dënimit si të ligjshëm dhe të drejtë, duke theksuar se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar në mënyrë të plotë të gjitha rrethanat që kanë ndikuar në llojin dhe lartësinë e dënimit, ndërsa pretendimet e PSRK-së se dënimi nuk është në përpjesëtim me peshën e veprës penale u gjetën të pabaza.
Bazuar në këto konstatime, Gjykata e Apelit vendosi të vërtetojë aktgjykimin e ankimuar.
Trupi gjykues që mori këtë vendim përbëhej nga Avni Mehmeti si kryetar, Vaton Durguti si gjyqtar referues dhe Albina Shabani-Rama si anëtare.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Jelena Gjukanoviqit më 2 shtator 2025, duke e akuzuar se nga një datë e papërcaktuar e në vazhdimësi deri në arrestimin e saj më 28 shkurt 2025, në cilësinë e zyrtares vendore të misionit të OSBE-së në Kosovë, në Zyrën Rajonale në Mitrovicë, si “Zyrtare e Programit Kombëtar në Qendrën Rajonale në Mitrovicë”, me vetëdije të plotë dhe dashje direkte kishte kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (BIA).
Sipas aktakuzës, Gjukanoviq i kishte ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të misionit të OSBE-së, ndihmë e realizuar përmes komunikimeve të shumta me agjentin rezident të BIA-s, Aleksandër Vllajiq, i cili tashmë ishte dënuar për spiunazh.
Aktakuza thekson se Gjukanoviq i kishte përcjellë Vllajiqit informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat më pas u transmetuan tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përfshirë përgjegjësin e BIA-s për rajonin e Novi Pazarit në Serbi dhe BIA-n në Beograd.
Gjithashtu sipas aktakuzës, e pandehura, duke shfrytëzuar pozitën e saj në OSBE dhe udhëzimet e marra nga Vllajiq dhe zyrtarët e BIA-s, gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, kishte kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës.
Me këto veprime të qëllimshme, e akuzuara kishte cenuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare, duke vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit dhe personelit ndërkombëtar të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Jelena Gjukanoviq akuzohej për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi” nga neni 124, paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është një organizatë ndërkombëtare që merret me sigurinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, e cila përmes misionit të saj ka prezencë zyrtare dhe seli edhe në Kosovë.
