Taki Fiti, akademik, ka ngritur alarmin se popullsia e Maqedonisë së Veriut mund të ulet në vetëm rreth 1.2 milionë banorë brenda vitit 2050, si pasojë e lindshmërisë së ulët, plakjes demografike dhe emigracionit.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste për “Triling”, Fiti kujtoi se në fillim të viteve ’90 vendi kishte afërsisht 2.06 milionë banorë, ndërsa sot numëron rreth 1.8 milionë. Parashikimet tregojnë se deri në vitin 2050 kjo shifër mund të zbresë në 1.2 milionë.
Një nga faktorët kryesorë mbetet lindshmëria e ulët, e cila sillet rreth 1.44 fëmijë për grua, një vlerë shumë më e vogël se 2.1 që nevojitet për të siguruar zëvendësimin e popullsisë.
Fiti vuri në dukje gjithashtu se tashmë numri i personave mbi 65 vjeç e tejkalon atë të fëmijëve nën 15 vjeç, çka po rëndon pensionet, shëndetësinë dhe tregun e punës.
Sipas tij, vendi po përballet edhe me mungesa në fuqinë punëtore dhe në kuadrot teknike e profesionale, ndërkohë që në disa fusha shoqërore ka tepricë.
Fiti theksoi se më shumë se 700 mijë qytetarë jetojnë jashtë vendit, pra më shumë se një e treta e popullsisë. Ai vlerësoi se Maqedonia e ka të vështirë ta kompensojë këtë humbje vetëm përmes importit të fuqisë punëtore, pasi shumë punëtorë të huaj e shohin vendin si një pikë kalimi drejt Evropës Perëndimore.
Duke folur për integrimin evropian, Fiti u shpreh se kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë ka gjasa të mbetet kusht dhe se, sipas tij, vendi duhet ta plotësojë atë, por kërkoi garanci që çështjet dypalëshe të mos rikthehen në procesin negociues. /Inbox7/
