Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Tiranë, në kuadër të operacionit policor “FAST”.
Shërbimet Operacionale të Sektorit për Kërkimin FAST Albania, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, e lokalizuan të dyshuarin në zonën e Saukut dhe e vunë në pranga me qëllim ekstradimin.
Të lidhura
None found
I arrestuari është Ornado Çeta alias Ceta, banues në Tiranë, i cili konsiderohet nga autoritetet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Çeta është dënuar nga Gjykata e Apelit të Triestes në Itali me 21 vjet, 9 muaj e 20 ditë burgim, pasi është shpallur fajtor për veprat penale “Vjedhje të rënda”, “Mashtrim”, “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Posedim të pasurisë me origjinë kriminale”, “Plagosje”, “Kanosje” dhe “Kundërshtim ndaj punonjësve të policisë”.
Sipas Policisë, nga dënimi i përgjithshëm atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 20 vjet, 6 muaj e 14 ditë burgim.
Pas arrestimit të tij, Interpol Tirana ka vendosur kontakte me Interpol Romën për të përmbyllur procedurat që do të mundësojnë ekstradimin e 40-vjeçarit drejt Italisë.
