Ndërsa po afrohet afati për zgjedhjen e presidentit, në Kuvend vazhdojnë të qëndrojnë pa miratim disa projektligje dhe marrëveshje ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën. Nëse nuk arrihet një dakordim politik, këto çështje rrezikojnë të mbeten të pezulluara edhe më gjatë.
Të lidhura
None found
Ekspertët vlerësojnë se para 6 tetorit duhet të shqyrtohen nismat që lidhen drejtpërdrejt me ekonominë, financat dhe zbatimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Mes tyre përfshihen ligji për ndarjet buxhetore, projektligjet e nevojshme për Planin e Rritjes, marrëveshjet ndërkombëtare dhe projektligji për Dhomat e Specializuara. Kërkesa është që këto çështje të trajtohen më së largu në fillim të javës së ardhshme.
Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe njëherësh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se projektligjet do të shqyrtohen së shpejti në parlament.
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD, theksoi se vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet disa çështjeve prioritare.
“Do të duhej që disa çështje kryesore të shkonin përpara. Veçanërisht ligjet që lidhen me Planin e Rritjes, ligji për ndarjet buxhetore, dy-tri ligje që mund të lidhen me ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Do të duhej t’i kushtohej kujdes të veçantë edhe projektligjit për Dhomat e Specializuara”, tha Jakaj.
Për miratimin e një pjese të këtyre nismave kërkohet edhe mbështetja me vota e deputetëve të opozitës.
Sipas ekspertëve, një krizë e re politike do të sillte pasoja përtej organizimit të zgjedhjeve të reja. Ajo mund të ngadalësojë reformat, të shtyjë miratimin e ligjeve që ndikojnë në jetën e qytetarëve dhe të shkaktojë humbjen e miliona eurove.
