Ish-portieri kosovar Flamur Neziri ishte i ftuar në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, ku foli për fillimet në futboll, përvojat me disa klube të njohura në Kosovë dhe kalimin e mëvonshëm në rolin e trajnerit të portierëve. Episodi realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Të lidhura
None found
Duke kujtuar si lindi dashuria e tij për futbollin dhe si kaloi nga lojtar në portier, Neziri tregoi se para luftës fëmijët zhvillonin shumë aktivitete e luanin nëpër lagje. Ai u rrit në Ulpianë, ku banonte edhe aktori i njohur Adem Mikullovci.
Neziri kujtoi lojërat me djalin e aktorit, Besnikun, i cili tani ndodhet në Amerikë. Sipas tij, Mikullovci merrte tre fëmijë nga lagjja dhe i çonte te klubi i futbollit 2 Korriku.
Ai mban mend edhe makinën 101-sh të Mikullovcit, me ngjyrë të kaltër të mbyllët, si dhe humorin që e karakterizonte aktorin, të cilin e cilësoi legjendë të aktrimit.
Neziri tha se Mikullovci i shoqëronte edhe në kushte mjaft të vështira. Në atë kohë, sipas tij, kishte raste kur Policia e Serbisë i largonte nga stadiumi i Dragodanit dhe nuk i lejonte të stërviteshin. Këto ishin fillimet e tij në futboll.
Biseda e plotë me Flamur Nezirin mund të ndiqet në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.
