Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka kundërshtuar publikimin e “Flamingo Mirror” nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar nismën si një përpjekje propagandistike dhe jo si transparencë të vërtetë.
Sipas Zhupës, kërkesa e qytetarëve dhe e institucioneve europiane është shfuqizimi i ligjit 21/2024. Ajo thekson se nisma për anulimin e këtij ligji është dorëzuar prej saj në Kuvend që më 14 maj.
Të lidhura
None found
Zhupa ka kritikuar edhe mënyrën se si janë publikuar dokumentet për zonën Pishë Poro–Nartë, veçanërisht ato që lidhen me ndërhyrjet në Zvërnec. Ajo kërkon që të bëhen publike të gjitha materialet për aplikimin e lejes së ndërtimit të infrastrukturës, vendimin e KKT-së, si dhe dokumentacionin e plotë të procedurave, lejeve dhe vlerësimeve.
“Flamingo Mirror” është pasqyra e propagandës, jo transparenca që kërkojnë qytetarët”, shprehet Zhupa, duke kërkuar publikimin e plotë të dokumenteve.
Reagimi i Ina Zhupës:
Qytetarët kërkojnë shfuqizimin e ligjit 21/2024, ndërsa Edi Rama u përgjigjet me një pasqyrë propagandistike si “Flamingo Mirror”.
Sipas saj, kryeministri po përpiqet t’i bindë qytetarët me një tjetër skemë propagandistike, ndërkohë që kërkesat për shfuqizimin e ligjit janë paraqitur si nga qytetarët dhe institucionet europiane, ashtu edhe në Kuvend prej saj që më 14 maj.
Zhupa thotë se publikimi i vetë ligjit në një faqe tjetër po paraqitet padrejtësisht si transparencë. Ajo shton se, në të njëjtën mënyrë, është bërë publike edhe kërkesa e Gjykatës Kushtetuese që e la në fuqi ligjin 21/2024, vendim të cilin e cilëson të turpshëm dhe të rrëzuar nga rezoluta e Parlamentit Europian.
Në reagim përmendet edhe VKM nr. 596 për zonën Pishë Poro–Nartë, ndaj së cilës është depozituar ankim në Gjykatën Kushtetuese. Zhupa argumenton se kjo VKM ndryshoi regjimin e mbrojtjes së zonës, duke e kaluar statusin nga kategoria IV në kategorinë V dhe duke hequr nënzonimin e mëparshëm.
Ajo nënvizon se pikërisht këto ndryshime janë kundërshtimi kryesor, ndërsa sipas saj për Edi Ramën ato shërbejnë si bazë për ndërtim.
Zhupa e cilëson situatën si “tallje të madhe” dhe ngre pyetjen se përse dokumentet nuk janë publikuar të plota, nëse synimi është vërtet transparenca.
Ajo kërkon të bëhen publike të dhënat që tregojnë se çfarë ka ndodhur në Zvërnec, ku zona u rrethua dhe në të kanë hyrë kamionë e fadroma.
Mes dokumenteve që kërkon të publikohen është edhe Aplikimi nr. 3218 Prot., datë 28.04.2026, për Leje Ndërtimi Infrastrukture për rrethimin dhe punimet përgatitore në funksion të rrugëve të aksesit.
Gjithashtu, Zhupa kërkon publikimin e Vendimit nr. 05, datë 29.04.2026, të Këshillit Kombëtar të Territorit, me të cilin është miratuar kjo leje.
Ajo kërkon gjithashtu që të bëhet publik i gjithë dokumentacioni për procedurat, lejet, vlerësimet dhe vendimmarrjet që lidhen me ndërhyrjet në këtë zonë, si dhe çdo material që ka të bëjë me projektet e Zvërnecit të paraqitura në “The Albanian Files”.
“Kjo është transparencë me regji. Flamingo Mirror është pasqyra e propagandës, jo transparenca që kërkojnë qytetarët”, deklaron Zhupa.
Sipas saj, qytetarët e njohin tashmë gjendjen dhe nuk kanë nevojë për një pasqyrë që t’u tregojë realitetin e mjerueshëm. Zhupa shprehet se ata kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, të cilën e konsiderojnë të vetmen rrugë për ndryshimin e situatës dhe mbrojtjen e vendit.
