Mentor Gjergjaj do të drejtojë për një mandat njëvjeçar Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), pas zgjedhjes së tij në postin e kryetarit, njoftoi vetë Këshilli.
Të lidhura
None found
Gjergjaj është kryeredaktor dhe njëherësh bashkëthemelues i mediumit online Reporteri.
Përveç detyrës në krye të këtij mediumi, nga tetori 2023 deri në shkurt 2024 ai ka shërbyer si menaxher i projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial”. Projekti u financua nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, përmes grantit për media të pavarura, ndërsa u zbatua nga “Reporteri” (R Media L.L.C.).
Ai ka qenë gjithashtu pjesë e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK). Në të kaluarën, Gjergjaj ka punuar si gazetar në Gazetën Express, ku është marrë kryesisht me raportimin e çështjeve të sigurisë dhe drejtësisë, si dhe me hulumtime mbi ekstremizmin fetar në Kosovë.
Gjatë vitit 2018, ai mori pjesë në programin International Visitor Leadership Program (IVLP) të Departamentit Amerikan të Shtetit, me temën “Reporting on Religion”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po në vitin 2018, Gjergjaj ishte pjesëmarrës në seminarin “Journalism and Revieë of Judicial Processes”, të organizuar nga Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar e Kosovës në Akademinë Ndërkombëtare të Parimeve të Nurembergut, në Nuremberg të Gjermanisë. Mandati i tij si kryetar i KMShK-së do të zgjasë një vit.
