Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që gjatë ditës së sotme të fillojë procedurën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, ajo e ka vlerësuar si të rëndësishëm hapin e Qeverisë për përcjelljen e projektligjit në Kuvend, duke theksuar se tash përgjegjësia kalon te deputetët.
“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë sot në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve”, ka shkruar Shoshi-Musliu.
Sipas saj, për Kosovën është e nevojshme të hartohet një strategji e përbashkët juridike dhe diplomatike, ku do të përfshihen ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Kjo strategji, siç ka thënë ajo, duhet të lidhet me procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe ruajtjen e së vërtetës për luftën çlirimtare të UÇK-së.
Musliu – Shoshi ka paralajmëruar se mbajtja e zgjedhjeve pa përmbylljen e këtij procesi mund ta bëjë të pamundur mbështetjen institucionale për ish-krerët e UÇK-së.
“Kjo çështje është mbi partitë dhe mbi kalkulimet politike. Këtu nuk ka pozitë e opozitë. Ka interes shtetëror”, ka deklaruar ajo.
Të premten, Qeveria e Kosovës ia ka përcjellë Kuvendit përgjigjen për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila synon ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ky vendim është miratuar të premten gjatë një mbledhjeje elektronike të Qeverisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot. 1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar’”, është bërë e ditur në njoftimin e qeverisë.
Kuvendi e kishte dërguar këtë kërkesë më 23 shtator 2026.
