Një shpërthim në një pallat apartamentesh në Neuchatel, në veriperëndim të Zvicrës, la të plagosur katër persona. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.
Ngjarja u regjistrua rreth mesditës, ndërsa shkaqet mbeten ende të paqarta, bëri të ditur policia.
Të lidhura
None found
Georges-André Louzouet, zëdhënës i policisë së Neuchatel, konfirmoi përfshirjen e katër personave në incident dhe tha se i plagosuri në gjendje të rëndë u transportua me helikopter drejt spitalit. Informacioni ishte raportuar fillimisht nga gazeta lokale Arcinfo.
Pas shpërthimit, në ndërtesë u përhap edhe një zjarr. Ekipet e emergjencës arritën ta lokalizonin dhe ta fiknin shpejt, por perimetri përreth pallatit qëndroi i rrethuar deri gjatë pasdites.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e shpërthimit.
Imazhet e transmetuara nga RTS, televizioni publik zviceran, shfaqën flakë dhe re të dendura tymi që dilnin nga dritaret e një apartamenti në katin e parë. Në pamje dalloheshin gjithashtu dëmtime të konsiderueshme në fasadën e ndërtesës.
