U luajtën në orën 16:00, 5 përballjet e vlefshme për javën e parë të Premier Ligës, ku u shënuan në total 15 gola. Çelësi e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sezon, teksa mposhti me rezultatin 3-0 Krista Palasin në “Stamford Bridge”.
Perla e Markos Alonsos dhe golat e Pulisiç e Çhalobah, i dhuruan 3 pikë të rëndësishme skuadrës së Tuhel në këtë javë të parë. Ndërkohë në përballjet e tjera, Evertoni i trajnerit Benitez, mposhti me përmbysje 3-1 Sauthemptonin e Armando Brojës.
Sulmuesi shqiptar nuk ishte i disponueshëm në këtë takim. “Shenjtorët” e mbyllën pjesën e parë në avantazh, falë golit të Armstrong, teksa Evertoni përmbysi gjithçka me Riçarlison, Doukuore dhe Kalver Ljuis.
Në 3 përballjet e tjera, Lestër dhe Uatfordi triumfuan në shtëpi respektivisht përballë Uolves dhe Aston Vilës, ndërkohë që Brajtoni mposhti në transfertë 1-2 Bërnlin.