Donald Trump ka komentuar vendimin për lirimin me kusht të pesë shtetasve britanikë, të cilët u arrestuan pranë një baze ajrore të përdorur nga ushtria amerikane në Britani. Presidenti i SHBA-së tha se nuk do të kishte vepruar në të njëjtën mënyrë.
Të lidhura
None found
“U befasova që u liruan. Unë nuk do ta bëja këtë”, deklaroi Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale, duke iu referuar të dyshuarve që po hetohen për planifikimin e një sulmi ndaj bazës.
Të pesë personat, të moshave nga 23 deri në 25 vjeç, u lanë të lirë me kusht më herët gjatë ditës, ndërsa hetimet ndaj tyre vijojnë.
“Nuk do t’i lija të shkonin”, u shpreh presidenti amerikan, i cili e cilësoi si të papritur vendimin për lirimin e tyre.
Trump foli gjithashtu për konfliktin me Iranin, duke bërë të ditur se zyrtarët amerikanë kishin zhvilluar gjatë ditës bisedime me ndërmjetës që synojnë t’i japin fund luftës. Ai përsëriti bindjen se Shtetet e Bashkuara do ta fitojnë konfliktin “shumë shpejt”.
“Ne do të fitojmë, në një mënyrë ose në një tjetër. Do të ndodhë shumë shpejt”, tha ai.
Sipas Trump, pas fitores së SHBA-së në luftë, çmimi i karburantit do të pësojë një rënie të ndjeshme.
Sa u përket marrëdhënieve me Kanadanë, presidenti amerikan deklaroi se një marrëveshje tregtare mes dy vendeve do të arrihet përfundimisht. Ai tha se kanadezët “vazhdojnë të telefonojnë” dhe se janë të interesuar për një marrëveshje.
Trump njoftoi edhe për planin e kompanisë Mesabi Metallics për të ndërtuar në Iowa një fabrikë të madhe çeliku, të cilën e përshkroi si “më të madhen” në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Projekti parashikon një investim prej 18 miliardë dollarësh dhe, gjatë fazës së ndërtimit, pritet të hapë 6 mijë vende pune. Në periudhën afatgjatë, uzina pritet të sigurojë edhe 2 mijë vende pune në industrinë e çelikut.
I kritikuar për rezultatet në ekonomi vetëm disa javë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, të cilat do të përcaktojnë rinovimin e Kongresit, Trump këmbënguli se ekonomia amerikane “nuk ka qenë kurrë në një gjendje më të mirë”.
