Vdekja e këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis ka nxitur kontrolle të gjera në klinika dhe qendra private në të gjithë Greqinë. Në Selanik, autoritetet urdhëruan të hënën në mbrëmje mbylljen e një klinike private, pasi zbuluan se në ambientet e saj funksiononte në mënyrë të paligjshme një repart onkologjik dhe pacientëve u administrohej kimioterapi pa autorizimin e nevojshëm.
Të lidhura
None found
Inspektimi i kryer nga Autoriteti Kombëtar i Transparencës evidentoi se klinika kishte krijuar një strukturë të plotë për trajtimin e sëmundjeve onkologjike, përfshirë edhe pajisje për përgatitjen e medikamenteve kimioterapeutike. Ky repart, megjithatë, nuk figuronin në licencën zyrtare të klinikës.
Në klinikë ushtronte aktivitet një pneumolog me specializim në onkologjinë e mushkërive, por ai nuk kishte një kontratë të shkruar me institucionin. Sipas të dhënave të hetimit, që prej vitit 2022 mjeku u përshkruante pacientëve barna kimioterapie, të cilat më pas administroheshin në repartin e paautorizuar.
Kontrollet nxorën në pah edhe mungesa të tjera të rëndësishme. Klinika nuk dispononte numrin e kërkuar të infermierëve, nuk kishte mjekë nga disa specialitete të detyrueshme dhe nuk e kishte vënë në funksion Njësinë e Kujdesit Intensiv, ndonëse ajo ishte pjesë e kushteve të licencës.
Një tjetër element që po shqyrtohet lidhet me pacientë të shtruar për diagnoza që nuk kishin lidhje me sëmundjet kancerogjene, por që gjatë qëndrimit të tyre morën trajtime kimioterapeutike. Autoritetet po verifikojnë nëse për këto shtrime mund të jenë paraqitur të dhëna të pasakta pranë EOPYY, fondit publik grek të sigurimeve shëndetësore, me qëllim përfitimin e rimbursimeve.
Shkeljet në këtë institucion ishin evidentuar edhe më herët. Në vitin 2025 ishte konstatuar mungesë personeli, ndërsa në fillim të vitit 2026 klinikës iu hoq certifikata e funksionimit të rregullt dhe iu rekomandua mbyllja përfundimtare. Pavarësisht kësaj, aktiviteti vijoi. Tashmë është vendosur heqja e licencës dhe mbyllja e klinikës, ndërsa materialet e çështjes i janë përcjellë edhe Prokurorisë.
Ky zhvillim ndodh vetëm disa javë pas vdekjes së Giorgos Mazonakis në një qendër private në Athinë, gjatë një procedure plazmafereze. Rasti i këngëtarit vuri në dukje mangësi të mëdha në mbikëqyrjen e sektorit privat shëndetësor dhe solli nisjen e një serie të re kontrollesh në të gjithë vendin.
Përmes sistemit të ri MedWatch, autoritetet kanë shqyrtuar mijëra klinika, kabinete mjekësore, qendra estetike dhe struktura të tjera private. Vetëm në fazën e parë të kontrolleve në Atikë, 231 struktura janë klasifikuar si “të kuqe”, çka nënkupton se kanë tregues që kërkojnë inspektim të menjëhershëm. Ndërkohë, 424 struktura të tjera janë përfshirë në kategorinë “e verdhë” dhe do t’i nënshtrohen rikontrollit. Ky klasifikim nuk do të thotë se të gjitha këto subjekte veprojnë në mënyrë të paligjshme, por se janë konstatuar elemente që duhet të verifikohen në terren.
Lista e strukturave nën verifikim përfshin klinika private, poliklinika, kabinete mjekësore, qendra estetike dhe spa. Në të janë përfshirë edhe biznese që reklamonin shërbime mjekësore, ndonëse nuk kishin të drejtë t’i ofronin ato.
Ngjarja ka ndezur edhe një debat të ashpër politik. Partitë opozitare e akuzojnë qeverinë se kontrollet ndaj klinikave private kanë qenë të pamjaftueshme dhe se problemet në këtë sektor janë toleruar për vite me radhë.
