Pesë personat e arrestuar nën dyshimin se po përgatitnin një sulm pranë bazës ajrore Fairford janë liruar me kusht, bëri të ditur policia britanike kundër terrorizmit.
Të lidhura
None found
Sipas autoriteteve angleze, të arrestuarit janë shtetas britanikë të moshave 20 deri në 25 vjeç. Hetimi ndaj tyre vijon edhe pas lirimit. Ata u ndaluan pasi banorë të zonës sinjalizuan policinë për tre automjete që po drejtoheshin drejt bazës në Gloucestershire, e përdorur nga forcat ajrore amerikane gjatë operacioneve kundër Iranit.
Të rinjtë dyshohen për përgatitjen e një akti terrorist, ndërsa policia britanike po shqyrton mundësinë që ata të kenë vepruar në emër të një shteti të huaj.
Autoritetet në Britani po hetojnë rolin e mundshëm të Iranit në këtë komplot të dyshuar kundër bazës së përdorur nga amerikanët. Megjithatë, ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Londër e mohoi të hënën çdo përfshirje të Teheranit.
Sekretarja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, deklaroi në një konferencë për mediat se hetimi kundër terrorizmit për ngjarjen në Fairford është një kujtesë se “në një kohë kërcënimi në rritje, të gjithë duhet të qëndrojnë vigjilentë”.
Mahmood iu përcolli gjithashtu një paralajmërim personave që synojnë të kryejnë sulme në territorin britanik, duke thënë: “Ju kurrë nuk do të na mposhtni”.
Pas incidentit, policia rrethoi të gjithë zonën dhe 85 familje të fshatit u evakuuan. Sekretarja e Brendshme njoftoi se situata tani është e sigurt dhe banorët e prekur kanë nisur të rikthehen në shtëpitë e tyre.
