Pas vlerësimit të Shqipërisë si vendi pararojë i rajonit në procesin e integrimit evropian dhe zhvillimit të konferencës ndërparlamentare për zgjerimin në Tiranë të hënën, nga Brukseli vjen një sinjal i ri pozitiv.
Komisioni Evropian po punon për një strategji të veçantë që synon anëtarësimin e Shqipërisë, Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë. Për herë të parë po shqyrtohet edhe mundësia e përcaktimit të datave për përmbylljen e fazave kryesore të negociatave për këto katër vende.
Të lidhura
None found
“Politico”, duke iu referuar dy zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, raporton se po përgatitet një “udhërrëfyes” i dedikuar për secilin prej tyre. Dokumenti pritet të përcaktojë hapat drejt anëtarësimit, reformat me përparësi, afatet orientuese dhe objektivat për mbylljen e fazave të bisedimeve.
Për Shqipërinë, plani parashikon përcaktimin e reformave që duhet të zbatohen dhe të datave orientuese për mbylljen e grup-kapitujve negociues. Në të njëjtën kohë, edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të kenë detyrime për të ndihmuar në avancimin e procesit.
Shqipëria i ka hapur tashmë të 33 kapitujt e negociatave. Në muajin korrik, vendi mbylli tre prej tyre: shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si edhe marrëdhëniet me jashtë.
Raportimet e fundit bëjnë të ditur se Komisioni Evropian synon përfundimin e negociatave të Shqipërisë deri në dhjetor 2027. Megjithatë, ky objektiv mbetet ende në fazën e planifikimit dhe pritet të marrë formë zyrtare përmes udhërrëfyesit.
Sipas “Politico”, në kalendarin e zgjerimit rëndësi të veçantë kanë edhe dy data. Më 6 tetor pritet të publikohet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, ndërsa më 15-16 tetor liderët e unionit do të shqyrtojnë çështjet e zgjerimit dhe reformat e brendshme.
Ndërkohë, gjatë kësaj jave, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor. Ajo pritet të zhvillojë bisedime me drejtuesit e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia nuk janë përfshirë në vizitë pasi ndodhen në periudhën e zgjedhjeve kombëtare.
