Pesë burra britanikë, të moshave 23 deri në 25 vjeç, janë vënë në pranga pranë bazës ajrore RAF Fairford, në Gloucestershire, ndërsa autoritetet po hetojnë dyshimet për përgatitjen e një sulmi terrorist.
Të lidhura
None found
Komanda Britanike Kundër Terrorizmit bëri të ditur të hënën se të arrestuarit janë shtetas britanikë dhe se vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim. Hetuesit po shqyrtojnë provat e sekuestruara në tre automjete të dyshimta të gjetura pranë bazës.
Sipas të dhënave të autoriteteve, tre prej tyre janë banorë të Westminsterit, një i Camdenit dhe një tjetër i Willesdenit, në Londër.
Arrestimet e para u kryen mbi bazën e ligjeve që lidhen me eksplozivët, por më vonë të dyshuarit u arrestuan sërish nën dyshimin se po përgatitnin një akt terrorist. Legjislacioni britanik kundër terrorizmit u lejon autoriteteve t’i mbajnë ata në paraburgim për një periudhë deri në 14 ditë pa ngritur akuza.
Ngjarja u sinjalizua në orët e para të së dielës, kur banorë të zonës raportuan lëvizjen e tre automjeteve të dyshimta në drejtim të RAF Fairford.
Telefonata e parë në numrin 999 u regjistrua rreth orës 00:45. Pas njoftimit, oficerë të armatosur mbërritën në Welford, pranë bazës, dhe arrestuan pesë personat.
Autoritetet ndërmorën më pas një operacion të gjerë kontrolli. Ekipet e çaktivizimit të bombave të Ushtrisë Britanike inspektuan tre furgonë të bardhë, duke përdorur edhe një robot të komanduar në distancë.
Si masë sigurie, rreth 85 banesa u evakuuan dhe u krijua një perimetër ndalimi me shtrirje prej disa qindra metrash.
The Guardian raportoi se hetuesit po analizojnë materialet e gjetura në automjete. Vlerësimet e para ngrenë dyshimin se ato mund të lidhen me pajisje shpërthyese të improvizuara, por procesi i ekzaminimit ende nuk ka përfunduar.
Një nga objektivat kryesore të hetimit është të përcaktohet motivi i të arrestuarve dhe nëse ata kanë vepruar në interes të një fuqie të huaj apo të një organizate tjetër.
Raportimet e mediave britanike kanë përmendur edhe një lidhje të mundshme me Iranin. Megjithatë, autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar nuk e kanë lidhur zyrtarisht çështjen me Teheranin dhe nuk kanë thënë se të dyshuarit vepronin në emër të shtetit iranian.
Ambasada iraniane në Londër ka mohuar në mënyrë kategorike çdo përfshirje. Ajo i ka cilësuar raportet si “spekulime të pabaza dhe keqdashëse”, duke pretenduar se ato nxisin kultivimin e “iranofobisë” në Britani.
Baza RAF Fairford konsiderohet me rëndësi strategjike, pasi përdoret nga Forcat Ajrore të SHBA-së dhe ka qenë e angazhuar si pikë operimi për bombarduesit amerikanë në misione të lidhura me luftën me Iranin.
Vicky Evans, Zëvendës Ndihmës Komisionerja dhe drejtuesja e Departamentit Britanik të Kundër-Terrorizmit, e cilësoi ndërhyrjen si një operacion “jashtëzakonisht kompleks dhe në shkallë të gjerë”.
Në aksion u angazhuan struktura të policisë lokale e kombëtare, Ministria e Mbrojtjes dhe agjenci të tjera.
Policia tha se kontrollet dhe kërkimet e zhvilluara gjatë natës kanë nxjerrë pista të reja hetimi. Ndërkohë, masat e sigurisë dhe bllokada përreth RAF Fairford vijuan edhe gjatë së hënës.
Evans u kërkoi qytetarëve të mos nxjerrin përfundime apo të përhapin spekulime rreth motivit të të arrestuarve dhe dimensionit gjeopolitik të çështjes, pasi hetimet janë ende në vazhdim.
Një grua që jeton në zonë duket se ka ndihmuar në vënien në lëvizje të autoriteteve. Ajo po kthehej në banesë në orët e para të mëngjesit, kur pa tre furgonët që kishin zënë rrugën pranë bazës.
Ajo telefonoi numrin 999 dhe njoftoi se kishte parë disa burra duke u larguar nga automjetet në drejtime të ndryshme. Gruaja ka thënë se ishte e habitur që njoftimi i saj shkaktoi alarmimin e autoriteteve, ndërsa pretendoi se policia ende nuk e kishte marrë në pyetje në mënyrë të detajuar.
Sekretari i Mbrojtjes Wes Streeting e përgëzoi reagimin e saj, duke deklaruar se ajo “bëri pikërisht atë që ne do të shpresonim se dikush do të bënte në një situatë si kjo”. Megjithatë, ai shtoi se gruaja kishte vetëm një “pamje të pjesshme” të ngjarjes.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se agjencitë amerikane dhe britanike “i njihnin” të dyshuarit dhe pretendoi se ata po përgatiteshin të shkaktonin “dëme të mëdha”.
Ky version nuk është konfirmuar nga autoritetet britanike. Sipas të dhënave paraprake, ndërhyrja policore nisi pas telefonatave të banorëve dhe jo si pjesë e një operacioni të planifikuar nga shërbimet e inteligjencës.
