Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë vendosur të vazhdojnë pezullimin e përkohshëm të tarifave të larta tregtare, duke fituar kohë shtesë për të negociuar mbi mosmarrëveshjet kryesore ekonomike që shpërthyen vitin e kaluar në një konflikt tregtar të paprecedentë. Njoftimi u bë nga Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent.
Të lidhura
None found
Aktualisht, tarifat amerikane mbi importet kineze qëndrojnë në 30%, ndërsa Kina aplikon një taksë prej 10% për produktet amerikane. Këto nivele, të zgjatura sërish, do të mbeten në fuqi deri më 10 janar. Pa këtë marrëveshje, afati i mëparshëm do të skadonte më 10 nëntor, duke bërë që tarifat amerikane të hidheshin automatikisht në 54% dhe ato kineze të riktheheshin në 34%.
Bessent deklaroi për Fox News se të dyja delegacionet zhvilluan një takim maratonë 12-orësh të mërkurën, të cilin e cilësoi si “frytdhënës”. Palët ranë dakord për zgjatjen e armëpushimit në mënyrë që “të kemi më tepër kohë për të parë se çfarë mund të arrijmë në planin ekonomik”, shtoi ai.
Ky pezullim i përkohshëm i tarifave ka nisur që prej majit 2025, kur të dy fuqitë ekonomike u ulën në Gjenevë për të shuar përshkallëzimin tregtar. Në pikun e krizës, Uashingtoni kishte vendosur tarifa deri në 145% ndaj mallrave kineze, duke bllokuar praktikisht hyrjen e tyre në tregun amerikan. Si kundërpërgjigje, Pekini aplikoi taksa mbi 100% për eksportet e SHBA-së.
Megjithëse dialogu ka vijuar pa ndërprerje gjatë vitit të fundit, të dyja vendet ruajnë ende kufizime mbi eksportet e artikujve që i konsiderojnë thelbësorë për sigurinë kombëtare. Këtu përfshihen çipat e avancuar për inteligjencën artificiale dhe mineralet e rralla tokësore.
