Gjykata e Lartë e Francës i dha fund një faze të rëndësishme të procesit kundër Achraf Hakimit, duke e detyruar atë të përballet me gjyqin penal për akuzën e përdhunimit. Vendimi i formës së prerë, i marrë të mërkurën, konfirmon vendimin e Gjykatës së Apelit të Versajës të 19 qershorit dhe rrëzon ankesën e mbrojtjes së futbollistit maroken.
Të lidhura
None found
Tani që të gjitha rrugët ligjore janë shteruar, Hakimi do të dalë para gjykatës në departamentin Hauts-de-Seine, me gjasë në qytetin Nanterre. Data e procesit gjyqësor mbetet ende për t’u caktuar.
Çështja nisi në shkurt të vitit 2023, pasi një grua 24-vjeçare depozitoi një ankesë kundër mbrojtësit të Paris Saint-Germain, duke e akuzuar për sulm seksual në banesën e tij në Boulogne-Billancourt, një periferi e Parisit. Ata ishin njohur nëpërmjet rrjeteve sociale.
Një element kyç në hetime ishte dëshmia e Kylian Mbappe, bashkëlojtarit të Hakimit te Paris Saint-Germain në atë periudhë. Ai u pyet nga hetuesit më 14 prill 2023 dhe deklaroi se Hakimi i kishte rrëfyer se gjatë asaj nate kishte shkëmbyer puthje me vajzën, me pëlqim të ndërsjellë.
Gjykatësi hetues u mbështet pikërisht në këto deklarata për të përforcuar versionin e paditëses dhe për të urdhëruar që çështja të shkonte në gjyq.
Më vonë, avokatët e Hakimit u përpoqën të sillnin një sqarim shtesë përmes një mesazhi nga vetë Mbappe, ku ai shpjegonte se lojtari nuk kishte prekur organet intime të ankueses. Ky argument synonte të mohonte çdo ngjyrim seksual të padëshiruar, por nuk mjaftoi për të bindur Gjykatën e Apelit, e cila la në fuqi vendimin për gjykimin penal.
