Leon Avdullahu, mesfushori i Kombëtares së Kosovës, ka ndarë pritshmëritë e tij për ndeshjen e parë të “Dardanëve” në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, duke theksuar se ekipi është plotësisht i mobilizuar për sfidën kundër Irlandës.
Të lidhura
None found
Takimi i planifikuar për të enjten në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” shënon startin e këtij cikli garues për Kosovën në Grupin 3 të Ligës B, ku bëjnë pjesë edhe Austria e Izraeli.
Avdullahu parashikon një duel të ashpër dhe dinamik, por nënvizon se përfaqësuesja kosovare zotëron armët e nevojshme për t’iu kundërvënë lojës së irlandezëve.
“Presim një ndeshje me shumë duele dhe ritëm të lartë. Kemi konsideratë për Irlandën, por do të hyjmë në fushë të përgatitur dhe pa komplekse. Nuk kemi arsye të fshihemi. Edhe ne kemi fizik dhe jemi gati ta përballojmë sfidën me lojtarët tanë të fortë,” u shpreh ai.
Mesfushori që aktivizohet te Hoffenheim komentoi gjithashtu zgjedhjen e Erblin Osmanit, talentit 17-vjeçar të Bayern Munichut, për të veshur fanellën e Kosovës. Ai tregoi se ka komunikuar me lojtarin dhe u shfaq entuziast për këtë vendim, duke e vlerësuar si një përforcim me perspektivë të madhe.
“Kam folur me të dhe jam i lumtur që Erblini zgjodhi Kosovën. Ai është një supertalent dhe do të jetë një kontribut i çmuar. Më gëzon fakti që të rinjtë po e shohin të ardhmen e tyre këtu. Kosova po forcohet vazhdimisht,” shtoi Avdullahu.
Pas përballjes me Irlandën, skuadra do të vijojë angazhimet ndaj Austrisë më 27 shtator, Izraelit më 1 tetor dhe një ndeshje tjetër kundër Austrisë më 4 tetor.
