Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Gjatë bisedës, u trajtuan çështje që lidhen me situatën politike dhe të sigurisë, raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe rruga e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.
Të lidhura
None found
Kurti ngriti shqetësime rreth vendimeve të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke theksuar se shpreson që faza e apelit të korrigjojë ato që ai i konsideroi si mangësi dhe padrejtësi të aktgjykimit.
Ai falënderoi të dërguarën britanike për qëndrimin e prerë të Mbretërisë së Bashkuar kundër lartësimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe çmoi përkrahjen e vazhdueshme për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Kurti vuri në dukje se historia e çlirimit dhe e ndërtimit të shtetit i lidh me Britaninë e Madhe, por edhe e ardhmja e përbashkët euroatlantike. Në takim u diskutua gjithashtu për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian dhe forcimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në përfundim, kryeministri e uroi paraprakisht zonjën Pierce për ditëlindjen e saj që feston të nesërmen, duke i dhuruar një dhuratë simbolike nga Republika e Kosovës.
