Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, nuk do të jetë i pranishëm në pritjen që Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka organizuar këtë vit në New York për delegacionet e krerëve të shteteve, në kuadër të nisjes së sesionit të ri të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
El Pais, duke iu referuar burimeve, raportoi se arsyeja e mungesës së Sanchez është e lidhur me “arsye programore”. Sipas këtyre burimeve, kalendari i kryeministrit spanjoll hartohet shumë kohë më herët, ndërsa ftesat për pritjen presidenciale amerikane dërgohen vetëm pak kohë përpara, edhe për shkak të protokolleve të shtuara të sigurisë.
Megjithatë, në agjendën zyrtare të Sanchez për të martën nuk figuron, deri tani, ndonjë aktivitet që të përkojë me orarin e pritjes së organizuar nga Donald Trump.
Kjo nuk është hera e parë që kryeministri spanjoll mungon në këtë event. Edhe vitin e kaluar ai nuk mori pjesë, ndërsa Spanja u përfaqësua në pritje nga Mbreti Felipe VI.
Gjatë dy viteve të para të mandatit të tij, në 2018 dhe 2019, Sanchez kishte marrë pjesë në pritjet e Trump, së bashku me bashkëshorten e tij, Begoña Gómez. Në 2020 dhe 2021, aktiviteti nuk u organizua për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ndërkohë, në vitet 2022 dhe 2023, Sanchez ishte pjesëmarrës në pritjet e zhvilluara nga Presidenti Joe Biden. Mungesa e tij në vitin 2024 erdhi pasi eventi përkonte me fjalimin që ai mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Edhe pse nuk do të marrë pjesë në pritjen e Trump, Pedro Sanchez do të jetë i pranishëm në hapjen e debatit të përgjithshëm të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në këtë seancë do të flasë gjithashtu edhe Presidenti amerikan.
Axhenda e kryeministrit spanjoll parashikon edhe pjesëmarrjen në një aktivitet kushtuar autores dhe gazetares Gloria Steinem, e njohur si një prej figurave të rëndësishme të lëvizjes feministe.
Gjithashtu, Sanchez pritet të angazhohet në diskutime për mbrojtjen e fëmijëve përballë sfidave të shkaktuara nga inteligjenca artificiale dhe për avancimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.
Të hënën, kreu i qeverisë spanjolle zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Gjatë bisedës, Sanchez e cilësoi organizatën si një “hapësirë për dialog për të kërkuar zgjidhje” në një kohë të shënuar nga tensionet ndërkombëtare dhe vështirësitë që po përballojnë institucionet shumëpalëshe.
Sanchez dhe Guterres nënvizuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit mes vendeve, përballjes me ndryshimet klimatike dhe mbështetjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, ndërsa bota përballet me polarizim dhe konflikte të armatosura.
