Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili ndodhet në New York për sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zhvilloi një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në “Turkish House”.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të Zyrës së presidentit të Turqisë, biseda u përqendrua te raportet dypalëshe mes Ankarasë dhe Prishtinës, si edhe te zhvillimet me karakter rajonal e global.
Gjatë takimit, Erdogan theksoi se të dyja palët synojnë të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare, në përputhje me potencialin që kanë, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në siguri dhe në industrinë e mbrojtjes.
Në njoftim thuhet se presidenti turk rikonfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Turqisë për Kosovën, me qëllim që ajo të zërë vendin e merituar në komunitetin ndërkombëtar. Erdogan deklaroi gjithashtu se Turqia përkrah dialogun mes vendeve të Ballkanit.
Po ashtu, Erdogan e ftoi kryeministrin Kurti në Samitin e Liderëve të COP31, që do të zhvillohet në Turqi.
Në krah të presidentit turk gjatë takimit ishin ministri i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ministri i Tregtisë, Ömer Bolat, kreu i Komunikimit i Presidencës, Burhanettin Duran, këshilltari kryesor i presidentit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Akif Çagatay Kılıç, si dhe zëvendëskryetari i Këshillit Presidencial për Siguri dhe Politika të Jashtme, ambasadori Çagrı Erhan.
