Gazetari sportiv Gert Çarçani ka komentuar situatën e vështirë që po kalon Vllaznia e Shkodrës, e cila ndodhet në vendin e fundit të tabelës. Në fokus të tij ishte edhe vendimi i presidentit Alban Xhaferi për shkarkimin e trajnerit Edi Martini.
Të lidhura
None found
Çarçani vë në pikëpyetje përgjegjësitë brenda klubit, duke theksuar se nëse presidenti i kërkon trajnerit të rishikojë pozicionin dhe të largohet, atëherë duhet të ketë dikush që t’i kërkojë edhe presidentit të analizojë rolin e tij dhe kontributin ndaj futbollit e skuadrës së qytetit të Shkodrës. Ai ngre një sërë pyetjesh: A është Vllaznia e këtij sezoni po aq e fortë sa ajo e vitit të kaluar, për të synuar titullin? A janë bërë investimet e nevojshme për t’u shpallur kampione? A janë mbajtur lojtarët? A ka pasur një stanjacion pozitiv të financave të klubit, dhe jo vetëm në këtë edicion? A është realisht Vllaznia pretendente, a e meriton vendin ku ndodhet dhe a e meritojnë tifozët një skuadër të tillë?
Sipas tij, këto pyetje nuk duhet t’i përgjigjet Martini, por presidenti i klubit, Alban Xhaferi. Çarçani sqaroi se nuk ka asgjë personale me presidentin, por theksoi se ajo që po vëren është një revoltë e madhe, jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në ambientin e Shkodrës. Ai e cilësoi fillimin e sezonit si të harrueshëm dhe tha se, për të mbuluar e kaluar krizën, si “kokë turku” po paraqitet trajneri Edi Martini.
Çarçani shtoi se ndoshta gabimi i vetëm i Martinit ka qenë se sezonin e kaluar mori përsipër më shumë përgjegjësi nga sa i takonte rolit të trajnerit, duke tentuar të mbulonte gjithçka te Vllaznia. Në përfundim, ai shtroi pyetjen nëse ka ardhur koha që klubi shkodran të ketë një president të fortë, i cili mbi të gjitha të garantojë ndërtimin e një skuadre të fortë. Sipas tij, Vllaznia nuk është më ajo e sezonit të kaluar dhe tashmë mund të mposhtet shumë lehtë; përpara se të kritikohet dikush, qytetit duhet t’i jepen përgjigje, pasi po afrohet momenti i pikës zero.
