Rezistenca e banorëve të Divjakës kundër reformës territoriale vijoi edhe këtë të hënë, kur qytetarët zhvilluan protestën e 53-të radhazi për të kundërshtuar shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Lushnjen.
Banorët shprehen se përballë vendimeve të marra nga pushteti do të vazhdojnë të mbrojnë autonominë dhe identitetin e komunitetit të tyre.
Të lidhura
None found
Sipas tyre, nisma e ekzekutivit rrezikon të fshijë historinë 34-vjeçare të Divjakës si qytet, si edhe gati 12 vite funksionim si bashki e konsoliduar me administratë të veçantë.
Protesta u përmbyll të hënën në mbrëmje me një marshim në rrugët kryesore të qytetit, përmes të cilit qytetarët përcollën qëndrimin e tyre ndaj autoriteteve.
“Divjaka bashki!” dhe “Divjaka e qytetarëve, jo e pushtetarëve!” ishin thirrjet e protestuesve, të cilët deklaruan se do ta vijojnë qëndresën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre ligjore e komunitare.
