Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës projektligjin që synon ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Të lidhura
None found
Nisma politike dhe ligjore është ndërmarrë pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në memorandumin shpjegues të projektligjit thuhet se qëllimi është rikthimi i juridiksionit të Speciales në kufijtë e përcaktuar nga korniza fillestare kushtetuese, si dhe mbrojtja e legjitimitetit të luftës çlirimtare nga përkufizime të përgjithshme, përfshirë atë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Sipas propozimit, Gjykata Speciale do të mund të shqyrtojë vetëm pretendimet konkrete që burojnë nga Raporti i Këshillit të Evropës, Dokumenti 12462 i vitit 2011. Fokusi do të ishte te akuzat për trafikim organesh dhe te krimet e drejtpërdrejta që lidhen me to, ndërsa jashtë kompetencës së saj do të mbeteshin krimet e përgjithshme të luftës dhe krimet kundër njerëzimit.
Projektligji e kufizon gjithashtu periudhën kohore të veprave që mund të trajtohen në Hagë. Ajo do të përfshinte vetëm kohën nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000.
Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me masën e dënimit: Dhomat e Specializuara nuk do të mund të shqiptojnë më shumë se 15 vjet burgim, duke u zbatuar parimi ligjor i normës më të favorshme.
Personat e dënuar, sipas nismës, do t’i kryenin dënimet në institucionet korrektuese në Kosovë. Po ashtu, atyre do t’u njihej mundësia për falje nga Presidenti i Kosovës.
Për akuzat dhe rastet që nuk përfshihen në fushëveprimin e ri, gjykata do të duhej të shpallte moskompetencë brenda një afati të përshpejtuar prej 15 deri në 30 ditësh. Dosjet, provat dhe personat e ndaluar do t’i dërgoheshin Departamentit Special dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Kompetenca për vlerësimin abstrakt të kushtetutshmërisë së ligjeve do t’i hiqej Dhomës së Specializuar Kushtetuese në Hagë dhe do t’i rikthehej ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Prishtinë.
PDK-ja propozon gjithashtu që Kuvendi të autorizojë organizata ndërkombëtare të specializuara për të mbikëqyrur punën e Speciales në aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe garantimit të një gjykimi të drejtë.
Neni 26 përcakton se proceset që janë aktualisht në gjykim do të vijojnë sipas rregullave në fuqi, deri në momentin kur Paneli i Gjykatës së Apelit në Hagë të shpallë aktgjykimin.
Pas përfundimit të kësaj faze, çdo mjet tjetër juridik ose ankesë e mëtejshme do të kalonte automatikisht në kompetencë të Gjykatës Supreme të Kosovës.
