Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar kolonel Ahmet Krasniqin, i cili u vra në Tiranë 28 vjet më parë. Me këtë rast, ai kërkoi që rasti të zbardhet plotësisht dhe që të vendoset drejtësi për ish-ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Abdixhiku zhvilloi homazhe te varri i Krasniqit, në varrezat e Velanisë, ku ishte i shoqëruar nga familjarë, bashkëveprimtarë dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjatë përkujtimit, kreu i LDK-së e vlerësoi Ahmet Krasniqin si një prej figurave të rëndësishme të organizimit të mbrojtjes së Kosovës gjatë luftës.
“Ushtarak i karrierës, strateg e atdhetar, ai i priu organizimit të mbrojtjes së Kosovës në ditët më të rënda të saj”, shkroi Abdixhiku.
Sipas tij, Krasniqi, të cilin e cilësoi si ministër të Luftës, ishte ushtarak që e njihte presidentin Ibrahim Rugova si komandant suprem. Abdixhiku tha se ai e konsideronte mbrojtjen e Republikës detyrë, ndërsa lirinë e popullit qëllim të jetës.
Duke folur për vrasjen, Abdixhiku e përshkroi atë si “goditje ndaj vetë përpjekjes sonë për liri”. Ai tha se moszbardhja e rastit, edhe pas 28 vjetësh, lidhet me mungesën e drejtësisë.
Kreu i LDK-së përsëriti se partia e tij do të vazhdojë të kërkojë zbardhjen e vrasjes së Krasniqit dhe të gjitha vrasjeve politike.
“LDK do të kërkojë përjetësisht zbardhjen e vrasjes së tij dhe të të gjitha vrasjeve politike”, deklaroi Abdixhiku, duke theksuar se ky zotim “nuk skadon”.
Ahmet Krasniqi, ish-ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, u vra në Tiranë më 21 shtator 1998.
