Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i ka shprehur urimet gjeneralit Carsten Breuer pas zgjedhjes së tij në postin e kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s.
Të lidhura
None found
Sipas Jasharit, marrja e kësaj detyre përbën një përgjegjësi të rëndësishme, përmes së cilës Breuer mund të japë kontributin e tij me profesionalizëm, përkushtim dhe integritet në përmbushjen e objektivave strategjike, si dhe në avancimin e procesit të përafrimit të Republikës së Kosovës me NATO-n.
Në njoftimin e FSK-së theksohet se mandati i ri vjen në një periudhë veçanërisht të ndjeshme për Aleancën dhe krijon mundësinë që vizioni e përvoja e gjeneralit Breuer të shërbejnë për forcimin e bashkëpunimit, ndërtimin e partneriteteve afatgjata dhe mbështetjen e përpjekjeve për ruajtjen e paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit, veçanërisht në Republikën e Kosovës.
Po ashtu, njohja e drejtpërdrejtë e rajonit dhe e zhvillimeve në Kosovë, përfshirë shërbimin dhe vizitat e mëparshme të Breuerit në vendin tonë, vlerësohet si një bazë e rëndësishme për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe për arritjen e synimeve të përbashkëta.
Gjenerallejtënant Jashari i ka uruar gjeneralit Breuer suksese në detyrën e re, punë të mbarë dhe rezultate të rëndësishme gjatë mandatit të tij, i cili pritet të nisë në verën e vitit 2027.
