Njeriu që shpalli pavarësinë, nën hijen e dënimit në Hagë

Më 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi u ngjit në foltoren e Kuvendit të Kosovës dhe shqiptoi fjalët që do t’i siguronin atij një vend në historinë e shtetit më të ri të Evropës.

Të lidhura

None found

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”, tha Thaçi.

Në atë kohë ai ishte 40 vjeç, mbante postin e kryeministrit të Kosovës dhe kishte qenë udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Imazhi i tij në Kuvend u shndërrua në një nga pamjet që e përkufizuan 17 shkurtin.

Pas tetëmbëdhjetë vitesh, një tjetër pamje e Thaçit po hyn në kronikën e Kosovës.

Më 16 shtator 2026, ai u gjend në një sallë gjyqi në Hagë, ku dëgjoi trupin gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës ta shpallte fajtor për krime lufte.

Në aktgjykim u tha: “Trupi gjykues ju dënon me një dënim të njësuar me 25 vjet burgim”.

Asnjëra prej fotografive nuk e fshin tjetrën; përkundrazi, pas këtij aktgjykimi ato do të bashkëjetojnë.

Çështja që shtrohet është se çfarë ndikimi ka kjo jo vetëm në trashëgiminë e Thaçit, por edhe në mënyrën se si do të interpretohet historia e shtetit që ai ndihmoi të themelohej.

Çfarë shqyrtoi gjykata në Hagë?

Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, pohon se përgjigjja ligjore nuk lë shumë vend për dilema: bëhet fjalë për dy çështje krejtësisht të veçanta.

Sipas tij, Dhomat e Specializuara kishin për mision përcaktimin e përgjegjësisë penale të katër personave — Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit — dhe jo gjykimin e shtetit që u themelua më pas.

Për Radion Evropa e Lirë, Ellis thotë: “Ata i shpallën këta katër individë fajtorë për krime lufte dhe për përgjegjësinë e tyre individuale. Kjo është ajo që përcakton ligji. Nuk do të duhej të kishte ndonjë ndikim tjetër mbi shtetin.”

Sa i përket pavarësisë, përgjigjja ligjore ishte dhënë vite më parë.

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlerësoi se Deklarata e 17 shkurtit nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Edhe në Dhomat e Specializuara u vendos një kufi i qartë: synimi për pavarësinë e Kosovës nuk përbënte objekt të përgjegjësisë penale. Aktgjykimi u përqendrua te krimet e kryera ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

Megjithatë, ajo që ndahet qartë në sallën e gjyqit mund të përzihet më lehtë në luftën politike për historinë.

Një aktgjykim që mund të fitojë një jetë tjetër

Sipas studiuesit Abit Hoxha nga Universiteti Agder në Norvegji, pikërisht këtu aktgjykimi mund të marrë një jetë tjetër.

Jo duke ndryshuar statusin ligjor të Kosovës, por duke u futur në përplasjen shumë më të hershme rreth mënyrës se si interpretohet pavarësia e saj.

Hoxha thekson se vendimi mund të lërë “një njollë të madhe” në këtë histori dhe pret që Serbia dhe Rusia, të cilat vijojnë ta kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, ta përdorin dënimin e Thaçit për të vënë në dyshim narrativin mbi të cilin Kosova ka ndërtuar shtetësinë e saj dhe për ta çuar këtë interpretim edhe më tej.

Në programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Hoxha thotë: “Vendet sikurse Qiproja, Rumania, Spanja, Greqia… do ta kenë shumë më të vështirë ta njohin pavarësinë e Kosovës, për shkak të këtij argumenti. Të gjithë njerëzit që janë kundërshtarë të Kosovës, do të thonë se themeli i shtetit të Kosovës është bërë mbi krime të luftës. Këtu është rreziku më i madh që unë e shoh.”

Për sa i përket figurës së Thaçit, Hoxha përdor një përkufizim më të fortë. Ai e cilëson “babain e pavarësisë së Kosovës” — jo vetëm sepse lexoi Deklaratën, por për shkak të rolit që luajti në gjithë procesin që çoi deri te ajo.

Sipas Hoxhës, ky është një rol që aktgjykimi mund ta ndërlikojë, por jo ta fshijë nga historia.

Kjo ndodh sepse rruga e Thaçit kaloi nëpër disa nga etapat më vendimtare të historisë së re të Kosovës.

Nga veprimtaria politike dhe roli drejtues në UÇK, ai kaloi në negociatat ndërkombëtare për Kosovën dhe, pas luftës, në krye të institucioneve të saj.

Ai ishte kryeministër në momentin e shpalljes së pavarësisë, më pas president dhe një nga figurat qendrore në dialogun me Serbinë dhe në marrëdhëniet me Perëndimin.

Dy mënyra për ta kujtuar Thaçin

Megjithatë, kjo histori e gjatë politike shtron edhe pyetjen se sa mund të ndahet aktgjykimi i Hagës nga trashëgimia e Thaçit.

Sipas studiuesit Armend Bekaj nga Universiteti Uppsala në Suedi, mënyra se si do të kujtohet Thaçi nuk ka një përgjigje të vetme.

Bekaj thotë për Exposenë: “Për shumëkë, Hashim Thaçi do të vazhdojë të jetë heroi i luftës dhe i paqes, por, njëkohësisht, edhe për shumëkë do të jetë një person, i cili u shpall fajtor për krime lufte. Besoj që kjo gjykatë, fatkeqësisht, ka ofruar material të bollshëm për politikanin, akademikun, gazetarin e sotëm, e nesërm, që të shkruajë vëllime të tëra si për njërin ekstrem, ashtu edhe për ekstremin tjetër.”

Për ata që do ta shohin Thaçin vetëm përmes aktgjykimit, Bekaj shton se duhet mbajtur parasysh edhe konteksti: rruga e tij nga UÇK-ja deri te pavarësia u shoqërua me mbështetje të fuqishme nga Perëndimi, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara.

Si provë të këtij raporti, ai kujton edhe paraqitjen në mbrojtje të Thaçit nga ish-zyrtarë të lartë amerikanë, si Wesley Clark dhe James Rubin.

Bekaj thotë: “Hashim Thaçi dhe liderët e tjerë të UÇK-së, dhe jo vetëm të UÇK-së, kanë qenë partnerë në çdo hap – prej kohës së rezistencës civile, rezistencës së armatosur drejt bërjes së Kosovës shtet – kanë punuar në një afërsi të jashtëzakonshme me miqtë euroatlantikë.”

A duhet Perëndimi ta rishikojë atë periudhë?

Ky partneritet e çon pyetjen përtej figurës së Thaçit.

Nëse ai ishte një nga figurat kryesore me të cilat Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre bashkëpunuan në rrugën drejt pavarësisë, a e detyron aktgjykimi i Hagës Perëndimin ta rishikojë edhe atë periudhë?

Charles Kupchan, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe profesor në Universitetin Georgetown, nuk është i këtij mendimi.

Kupchan thotë për Exposenë: “…sepse Thaçi e bëri atë kalim, apo jo? Nga një udhëheqës i kohës së luftës, i dënuar tani për mizori, ai u bë një udhëheqës civil që ndihmoi Kosovën të ecte drejt pavarësisë dhe të ndërtonte marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, me fuqitë evropiane dhe me të tjerët. Prandaj, nuk mendoj se kjo do të ndryshojë.”

Sipas tij, verdikti mund të shkaktojë një tronditje afatshkurtër, por jo një goditje që do të ndryshojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Ai nuk parashikon tërheqje të njohjeve, dëmtim të partneriteteve me Perëndimin apo pengim të rrugës euroatlantike. Sipas tij, as procesi i normalizimit me Serbinë nuk vihet në dyshim.

Për më tepër, në planin afatgjatë ai sheh mundësinë e një efekti pozitiv, nëse procesi shihet si provë se drejtësia zbatohet njësoj për të gjithë.

Kupchan thotë: “Kosova po luftonte për t’u mbrojtur nga spastrimi etnik dhe, për këtë arsye, lufta për pavarësi ishte një luftë e drejtë. Megjithatë, një luftë e drejtë nuk i justifikon krimet e luftës. Një padrejtësi nuk mund të arsyetohet me një padrejtësi tjetër. Nëse Thaçi dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së kanë kryer krime lufte – edhe pse kauza për të cilën luftonin ishte e drejtë – atëherë mendoj se gjykata ka bërë atë që duhej të bënte.”

Nga “George Washingtoni i Kosovës” te Haga

Ky kontrast nuk mbeti pa u vënë re as jashtë Kosovës.

Në raportimet për aktgjykimin, mediat ndërkombëtare e cilësuan Thaçin jo vetëm si ish-president dhe ish-udhëheqës të UÇK-së, por edhe si një nga figurat qendrore të pavarësisë.

Agjencia AFP e përmblodhi këtë transformim në një titull: “Nga ‘George Washingtoni i Kosovës’ në të dënuar në Hagë”. Ky krahasim lidhet me një përshkrim që Joe Biden kishte përdorur për Thaçin kur ishte nënpresident i Shteteve të Bashkuara.

Associated Press rikujtoi se Thaçi, i cili u kthye nga Zvicra për t’iu bashkuar luftës në Kosovë, më pas u pranua nga udhëheqësit perëndimorë, mori pjesë në negociatat e Rambujesë në vitin 1999 dhe u konsiderua si një prej figurave që mund ta udhëhiqnin Kosovën drejt pavarësisë.

Guardian shkroi se Thaçi, i cili dikur kishte qëndrime të ashpra, më vonë kaloi drejt një profili politik më të moderuar.

Edhe The Times e përmblodhi kontrastin që në titull: “‘Gjarpri’, hero i Kosovës, i dënuar për krime lufte”.

Një trashëgimi që tani ka dy anë

Kur pyetet se cili imazh i Thaçit do të mbizotërojë pas disa dekadash — njeriu që ndihmoi ta çonte Kosovën drejt pavarësisë apo njeriu i dënuar për krime lufte — Kupchan nuk zgjedh mes tyre.

Kupchan thotë: “Si edhe me udhëheqës të tjerë që kanë bërë gjëra të guximshme dhe me vlerë, por që njëkohësisht janë akuzuar edhe për vepra penale, përfshirë krime lufte, edhe në rastin e Thaçit ekzistojnë të dyja anët. Është një trashëgimi e ndërlikuar. Thaçi do të kujtohet për rolin që kishte në udhëheqjen e Kosovës drejt pavarësisë. Por, në të njëjtën kohë, trashëgimia e tij tash do të jetë e lidhur edhe me këtë aktgjykim.”

Këto dy momente i ndajnë pak më shumë se 18 vjet.

Cili prej tyre do të peshojë më shumë në mënyrën se si do të kujtohet Thaçi, kjo mbetet një pyetje për vitet e ardhshme.

Megjithatë, 16 shtatori nuk ndryshoi vetëm trashëgiminë e tij.

Në të njëjtën sallë, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 — të gjithë për krime lufte.

Në Kosovë, aktgjykimi u prit me reagime të forta dhe me shpresë se fjala e fundit mund të mos jetë thënë ende.

Në fund, pas më shumë se tre vjetësh proces gjyqësor dhe një aktgjykimi që shqiptoi gjithsej 81 vjet burgim për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, vëmendja tani zhvendoset te apeli. / REL


Shtuar 20.09.2026 13:31

sultanbeyli escortparla iptvcasinofaststarzbetjojobetJojobetMarsbahisroketbetjojobetjojobetmarsbahisMarsbahisCasino welcome bonusjojobetcasibomjojobetbullbahismarsbahis güncel girişjojobetcasibomJojobet GirişsekabetHoliganbetJojobetJojobetMadridbetBetparkBetparkPusulabetcasibombahsegel girişbahsegelholiganbet