Një 39-vjeçare është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme me synimin për të marrë xhiron ditore dhe më pas largohej.
Operacioni policor i koduar “Skema” u përmbyll nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Të lidhura
None found
E shpallura në kërkim, K. Z., 39-vjeçe dhe banuese në Tiranë, u kap nga efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në ambientet e një lokali në kryeqytet.
Hetimet për këtë rast nisën në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e veprave penale kundër pasurisë, si dhe për dokumentimin e ngjarjeve të ndodhura më herët.
Gjatë veprimeve hetimore janë provuar 5 raste vjedhjesh në subjekte të ndryshme, të ndodhura në zonat që mbulohen nga Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2.
Policia vijon punën për të zbardhur edhe vjedhje të tjera që mund të jenë kryer nga 39-vjeçarja.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme.
