Alket Rizai është rikthyer në qendër të vëmendjes së mediave greke, këtë herë për shkak të një tjetër ngjarjeje të rëndë të lidhur me burgun e Domokosit.
Hetimet lidhen me vrasjen e të burgosurit Antonis Papadatos, i cili u qëllua për vdekje më 15 shkurt 2026 brenda ambienteve të burgut. Dëshmitë dhe të dhënat e mbledhura nga hetuesit dyshohet se e vendosin Rizain në afërsi të zonës ku ndodhi krimi.
Të lidhura
None found
Sipas televizionit grek SKAI, Papadatos u vra me tre plumba. Për ngjarjen është akuzuar një shtetas bullgar, i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili ka pranuar se është autori i vrasjes.
Pavarësisht kësaj, hetimi nuk ka përfunduar dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar. Në paraburgim ndodhet edhe drejtuesi i burgut të Domokosit, i cili ishte i pranishëm kur ndodhi vrasja dhe më pas u pyet nga policia.
Sipas materialeve të dosjes, pak para krimit i burgosuri bullgar i kërkoi Papadatosit të dilte nga qelia dhe ta shoqëronte. Dy të burgosurit kaluan nëpër korridoret që të çonin drejt sektorit kryesor të burgut.
Në zonën e administratës, ku ndodheshin viktima, i burgosuri bullgar dhe drejtuesi i burgut, kamerat e sigurisë nuk kishin pamje të plotë. Mediat greke e përshkruajnë atë si një pikë të verbër të sistemit të monitorimit.
Pikërisht në këtë hapësirë, Papadatos u qëllua tri herë: një plumb e kapi në pjesën e pasme të kokës, ndërsa dy të tjerë në fytyrë.
Dëshmitë e përfshira në dosje përmendin edhe Alket Rizain. Një punonjës burgu ka thënë se dëgjoi të shtënat dhe më pas pa Rizain teksa largohej nga zona e burgut të vjetër.
Po sipas raportimeve të SKAI-t, pamjet e kamerave tregojnë Rizain duke lëvizur drejt pjesës kryesore të burgut, së bashku me persona të tjerë.
I burgosuri bullgar ka paraqitur një version tjetër për atë që ndodhi. Ai pretendon se Papadatos kishte tentuar të vriste drejtuesin e burgut me një revolver të fshehur në veshje.
Sipas deklarimit të tij, ai ndërhyri për t’ia marrë armën Papadatosit dhe gjatë përleshjes revolveri u shkrep, duke i shkaktuar plagët që çuan në vdekjen e tij.
Megjithatë, mediat greke raportojnë se hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që vrasja të ketë qenë një ekzekutim i porositur dhe jo rezultat i një përplasjeje të çastit.
Alket Rizai i ka mohuar akuzat për përfshirje. Ai ka deklaruar se në momentin e vrasjes nuk ndodhej në burgun e vjetër dhe se nuk kishte asnjë arsye për të ndërhyrë në atë ngjarje.
Gjatë hetimeve, sipas raportimeve, në këpucët e tij janë gjetur gjurmë gjaku, ndërsa në rrobat e tij janë evidentuar gjurmë baruti.
Megjithatë, dosja nuk e akuzon Rizain për vrasjen. Në këtë çështje, ai konsiderohet dëshmitar.
Avokati i drejtuesit të burgut, Dimitris Gavelas, ka pohuar se klienti i tij ndodhej në vendin ku ndodhi krimi, por nuk kishte mundësi ta parandalonte vrasjen. Sipas tij, mbrojtja do të bazohet në të dhënat që përmban dosja.
Emri i Rizait është përmendur në Greqi edhe për arratisjen e tij nga burgu. Autoritetet greke vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa ai dyshohet gjithashtu se ka qenë i përfshirë në një incident me të shtëna në një bar plazhi në Anavyssos.
Një nga pistat e hetimit lidhet me mundësinë që Rizai të jetë larguar drejt Shqipërisë përmes veriut të Greqisë. Deri tani, kjo mbetet vetëm një hipotezë e hetuesve dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht.
