Në ditën e 109-të të protestës, ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, mbajti një fjalim të ashpër pas vendimit të Hagës për dënimin e Thaçit, Krasniqit, Selimit dhe Veselit.
Ai e cilësoi vendimin tërësisht të padrejtë dhe tha se procesi ishte një teatër. Kritika të forta Goxhaj drejtoi edhe ndaj kryeministrit Edi Rama.
Të lidhura
None found
Duke lexuar një deklaratë të grupit të përgjithshëm koordinues, Goxhaj iu drejtua bashkëqytetarëve duke e quajtur këtë një ditë të zezë për lirinë. Ai deklaroi se në Hagë u dhanë dënime të rënda ndaj katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe se, sipas tij, nuk bëhet fjalë për drejtësi, por për padrejtësi.
Goxhaj pretendoi se kjo gjykatë nuk ka asgjë të përbashkët me gjykatat e tjera, se vendimet u mbështetën në dëshmi të rreme dhe se të akuzuarit nuk patën mbrojtjen e duhur. Për këtë arsye, ai e përshkroi procesin si teatër dhe si një padrejtësi të organizuar.
Sipas tij, kjo padrejtësi vjen nga Europa, e cila në vitin 1913 copëtoi Shqipërinë dhe ia dha Kosovën Serbisë. Ai tha se stabiliteti në Ballkan nuk mund të përdoret më si pretekst dhe theksoi se UÇK-ja nuk ishte një lëvizje terroriste, por përgjigjja ndaj shtetit gjenocidial serb.
Ish-luftëtari deklaroi se djemtë e Kosovës u ngritën, u bashkuan dhe luftuan, pasi liria nuk dhurohet, por fitohet. Ai kujtoi sakrificat dhe dëshmorët, ndërsa akuzoi Hagën se po përpiqet ta paraqesë këtë fitore si krim. Goxhaj e quajti këtë një fyerje dhe shtoi se historia nuk përfundon këtu.
Më tej, ai e lidhi situatën me kryeministrin Edi Rama, dorëheqjen e të cilit protestuesit po e kërkojnë. Goxhaj pretendoi se në vitin 2015 Rama hipi në helikopter dhe shkoi në Kosovë për të ushtruar presion ndaj deputetëve që të miratonin krijimin e kësaj gjykate, duke u thënë se kjo ishte kërkesë e aleatëve.
Ai kritikoi faktin që i njëjti person sot shkruan në rrjetet sociale fjalën “marre”. Sipas Goxhajt, Rama duhet të turpërohet për ato që thotë dhe bën, pasi po u drejtohet me këtë fjalë deputetëve që vetë i shtyu të votonin. “Turpi i vërtetë je ti”, ishte mesazhi i tij për kryeministrin.
Goxhaj tha se Rama nuk ishte spektator, por arkitekt i kësaj situate. Ai shtoi se mund të krijohet përshtypja se pala tjetër ka fituar, por e vërteta, sipas tij, është se Kosova është e lirë sepse UÇK-ja luftoi. Ai theksoi gjithashtu se NATO-ja ndërhyri pasi lufta e UÇK-së ishte e drejtë.
Në përfundim, ish-luftëtari e konsideroi normale kërkesën për dorëheqjen e Ramës. Sipas tij, kryeministri nuk mund të dalë tani dhe të kërkojë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, pasi e shiti Kosovën në vitin 2015. Goxhaj tha se Rama kërkon të besohet, por kjo nuk mund të ndodhë, sepse ai nuk është zgjidhja, por pjesë e problemit.
