Në intervistën për News24, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, theksoi se është kritik ndaj partisë së tij për shumë gjëra, ndërsa përmendi njërën prej të cilave, teksa tha se ka treguar paaftësi për të luftuar korrupsionin në sektorë të caktuar.
Ish-deputeti komentoi edhe protestën, teksa tha se në fillim ka pasur simpati për të, por sipas tij, tashmë po vepron si PD.
Të lidhura
None found
“Jam kritik ndaj partisë time për shumë gjëra, si psh paaftësinë për të luftuar korrupsionin sidomos në disa sektorë, por ka një gjë që ne tani jemi në procesin e integrimit evropian. Nëse thua të iki ky filani se do të bëjmë qeveri teknike, është ta shtysh këtë proces në një moment që mund të mos ketë më avantazhe për Shqipërinë.
Janë disa zhvillime politike në Evropë që mund ta kthejnë këtë proces mbrapsht. Kështu që një proces që duhet shpejtuar se është me rëndësi strategjike për vendin. Fakti që kjo lëvizje proteste nuk formësohet dot me një formacion partiak”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te çështja e Belinda Ballukut, ai theksoi se kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë të gabuar dhe se çështja e saj, duhet të ishte trajtuar brenda standardit të shpallur nga Partia Socialiste.
“Çështja duhet të ishte trajtuar brenda një standardi që është shpallur me kohë në PS. Do të ishte avantazh moral edhe për vetë Ballukun. Për mua, hapat që ka ndërmarrë Rama kanë qenë të gabuara. Do të ishte më e mira të ishte ndjekur standardi.
Unë personalisht nuk jam në kompetencën e pezullimit, se është masë e paqartë. Këtu është faji i standardit politik. Në momentin që nis një çështje penale, jepet dorëheqja ose bëhet shkarkimi”, shtoi Koçi.
