Kosova ka siguruar shërbimet e një tjetër mesfushori nga Zvicra. Pas Leon Avdullahut, radhën për t’iu bashkuar “Dardanëve” e ka pasur Dion Kacuri.
Të lidhura
None found
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se përzgjedhësi Franco Foda e ka përfshirë Kacurin në listën e të ftuarve për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve. Kosova do të luajë dy herë kundër Austrisë, ndërsa nga një takim do ta zhvillojë me Irlandën dhe Izraelin.
Dion Kacuri është një mesfushor 1.92 metra i gjatë, i cili ka mbrojtur ngjyrat e Zvicrës në kategoritë U18, U19 dhe U20, ndërsa te përfaqësuesja U21 ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
Roli i tij kryesor është ai i qendërmesfushorit, por ai mund të aktivizohet edhe si mesfushor defansiv. Në karrierën e tij ka luajtur gjithashtu në pozitën e numrit 10.
Vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta për Kacurin për shkak të disa lëndimeve, megjithatë mediat zvicerane e kanë vlerësuar vazhdimisht talentin e tij. Për një periudhë ai është krahasuar me Granit Xhakën, pasi mënyra e lojës dhe vizioni i tij bënë që të shihej si pasuesi i mundshëm i yllit të Sunderlandit.
18 paraqitje për Zvicrën, por ëndërr Kosovën
Edhe pse ka luajtur 18 ndeshje me grupmoshat e reja të Zvicrës, dëshira e madhe e Dion Kacurit ka qenë gjithmonë përfaqësimi i Kosovës.
Mesfushori e bëri publike këtë dëshirë vetëm disa javë më parë në një prononcim për “Sky Sport Austria”, ku deklaroi se një ftesë nga Kosova do të ishte “ëndërr e bërë realitet”.
Pak kohë pas kësaj deklarate, burime të Telegrafit mësuan se Franco Foda dhe stafi i tij udhëtuan drejt Austrisë për të ndjekur nga afër ndeshjen Sturm Graz – Austria Lustenau.
Pas huazimit te Austria Lustenau, Kacuri ka realizuar një gol në gjashtë paraqitje dhe është vlerësuar pozitivisht edhe nga “Sofascore”.
Përforcimi i Kosovës me mesfushorët nga Zvicra
Që prej emërimit të Franco Fodës, Kosova ka bërë përmirësime të dukshme në mesfushë, repart që deri vonë konsiderohej si pika më e dobët e ekipit. Të gjithë lojtarët e afruar në këtë repart kanë ardhur nga Kombëtarja e Zvicrës.
Procesin e nisi Leon Avdullahu, në qershor u bind Valmir Matoshi, ndërsa tani për Kosovën do të luajë edhe Dion Kacuri.
Kosova do ta nisë ciklin kualifikues të Ligës B të Ligës së Kombeve në shtëpi ndaj Irlandës më 24 shtator. Më 27 shtator, “Dardanët” do të udhëtojnë në Austri, ndërsa më 1 tetor do të përballen me Izraelin në Hungari. Ndeshja e katërt do të zhvillohet në Prishtinë ndaj Austrisë, më 4 tetor.
