Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar se perspektiva e ardhshme ekonomike e Serbisë do të përcaktohet nga zgjedhjet politike dhe partneritetet që Beogradi vendos të ndërtojë sot. Qëndrimi iu dha Radios Evropa e Lirë, pas pyetjeve për lidhjet gjithnjë e më të afërta të Serbisë me Kinën në sektorin e inteligjencës artificiale.
Të lidhura
None found
Në përgjigjen e tij, DASH-i deklaroi se Shtetet e Bashkuara e nxisin Serbinë të shfrytëzojë të gjithë potencialin e saj dhe njëkohësisht të mbrojë sigurinë kombëtare, duke përzgjedhur burime e furnizues të besueshëm për pajisjet dhe teknologjinë e inteligjencës artificiale, si dhe partnerë të sigurt, sikurse SHBA-ja.
Departamenti i Shtetit theksoi gjithashtu se SHBA-ja udhëheq në teknologjinë e inteligjencës artificiale dhe mishëron standardin më të lartë për një teknologji të zhvilluar me përgjegjësi, mbi bazën e transparencës dhe pa paragjykime ideologjike apo manipulime të imponuara nga autoritetet.
Ndërkohë, Komisioni Europian ka kujtuar se përshtatja e legjislacionit të Serbisë me rregullat e bllokut për AI-n përbën një pjesë të procesit të integrimit evropian.
Serbia mban statusin e vendit kandidat që prej vitit 2012 dhe është angazhuar ta harmonizojë legjislacionin e saj me këto rregulla. Megjithatë, gjatë muajve të fundit, bashkëpunimi i saj me Kinën në këtë fushë është zgjeruar ndjeshëm.
Një memorandum bashkëpunimi për inteligjencën artificiale u firmos në maj në Pekin. Më pas, në korrik, Serbia iu bashkua si një prej shteteve themeluese Organizatës Botërore për Bashkëpunim në fushën e Inteligjencës Artificiale, WAICO, e krijuar në Shangai.
Këto marrëveshje përfshihen në përpjekjet e Beogradit për të fuqizuar kapacitetet e tij në AI.
