Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur kontrolle në 32 lokacione, përfshirë banesa, persona dhe ambiente zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në kuadër të hetimeve për falsifikimin e patentë-shoferëve.
Të lidhura
None found
Hetimet lidhen me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentit”, e parashikuar në nenin 378 të Kodit Penal. PTHP-Shkup bëri të ditur se po zhvillohen edhe veprime të tjera për mbledhjen dhe sigurimin e provave.
Edhe Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi më herët se ka ndërmarrë një aksion të ri për të hetuar lëshimin e paligjshëm dhe falsifikimin e patentë-shoferëve. Sipas MPB-së, operacioni vijon me synimin për të zbardhur rastet dhe për të siguruar prova materiale.
Aksioni i zhvilluar sot lidhet me hetimin e nisur muajin e kaluar nga Kontrolli i Brendshëm i MPB-së. Gjatë atij hetimi u konstatua se punonjës të shërbimeve administrative, kundrejt rreth 1.400 eurove, kishin regjistruar në mënyrë të kundërligjshme kategoritë C dhe D në patentë-shoferët e personave që nuk kishin dhënë provimet për drejtimin e kamionëve ose autobusëve.
Informacionet e deritanishme ngrenë dyshime se disa qytetarë e kanë kapërcyer të gjithë procedurën e kërkuar. Në vend që të ndiqnin orët e trajnimit dhe të zhvillonin provimet, ata dyshohet se kanë përfituar shtimin e drejtpërdrejtë të kategorisë në patentë-shofer kundrejt pagesës.
