Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është në pritje të një takimi me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën.
Të lidhura
None found
Takimi synon të qartësojë se cilin deputet të PDK-së do ta mbështesë LVV-ja për postin e nënkryetarit të Kuvendit, pasi kandidatura e Vlora Çitakut nuk mori votat e nevojshme dhe kjo bëri që PDK-ja të largohej nga seanca.
Kurti: Çitaku ka votuar vazhdimisht kundër propozimeve tona
“Siç e dini, vitin e kaluar Vlora Çitaku kërkoi të tërhiqej Albulena Haxhiu, ndërsa këtë vit kërkoi të tërhiqej Feride Rushiti. Pardje ajo nuk mori pjesë në votimin për zgjedhjen e Haxhiut si kryetare të Kuvendit dhe ka paralajmëruar bojkot edhe në rastin e presidentit. Ne do ta votojmë patjetër një deputet të PDK-së për nënkryetar, ashtu si edhe një deputet të LDK-së, por aktgjykimet duhet t’i keni parasysh dhe nuk është e domosdoshme të jetë i njëjti emër. Shpresoj që të tregohen konstruktivë, ashtu siç kemi qenë ne vitin e kaluar. Në takimin me Hamzën mund të përcaktojmë se cili deputet mund të votohet”, deklaroi Kurti.
Sipas Kurtit, takimi është më së shumti në interes të PDK-së, pasi kjo parti ka nevojë për votat e LVV-së për të zgjedhur kandidatin e saj për nënkryetar të Kuvendit. Në anën tjetër, për zgjedhjen e presidentit, LVV-së mund t’i mjaftojë edhe vota kundër e PDK-së.
Kurti: Pa votën pro të LVV-së, PDK-ja nuk e zgjedh nënkryetarin
“Mendoj se PDK-ja nuk duhej ta kishte braktisur procesin e konstituimit të Kuvendit. Shpresoj të rikthehet të dielën, në mënyrë që të zgjedhim edhe katër nënkryetarët e tjerë dhe të vazhdojmë me formimin e qeverisë e zgjedhjen e presidentit. Po e përsëris se duhet t’i shmangemi zgjedhjeve të reja, të cilat janë të panevojshme, të përsëritura dhe të kushtueshme. Për këtë na duhet një marrëveshje politike. Më vjen keq që kryetari i PDK-së nuk i është përgjigjur kërkesës për takim, gjë që e ka bërë publike, por besoj se një takim është i domosdoshëm. PDK-së i duhen votat e VV-së për zgjedhjen e nënkryetarit, ndërsa VV-së, për zgjedhjen e presidentit, i mjafton që PDK-ja të mos bojkotojë ose edhe të votojë kundër. Pra, atyre u duhet vota jonë pro, ndërsa neve na mjafton edhe vota e tyre kundër”, u shpreh Kurti.
Kurti doli ndër të fundit nga ndërtesa e Kuvendit, por nuk tregoi nëse do të marrë pjesë në marshin e së shtunës, i cili mbahet para vendimit përfundimtar në Hagë. Të njëjtës pyetje ai i ishte shmangur edhe gjatë mëngjesit, duke thënë se do të përgjigjej më vonë gjatë ditës.
