25 vite pas 11 shtatorit/ Si u shua Al-Qaeda, nga goditjet e inteligjencës te përplasja me ISIS-in

Al-Qaeda, organizata e krijuar dhe drejtuar nga Osama bin Laden, nuk ekziston më si struktura e unifikuar globale që ishte dikur. Grupimi që 25 vite më parë kreu sulmet ndaj Shteteve të Bashkuara, duke vrarë 2,977 persona në Qendrën Botërore të Tregtisë, Pentagon dhe në Pensilvani, konsiderohet tashmë i shpërbërë.

Të lidhura

None found

Ky është përfundimi i një analize, e cila u kërkon zyrtarëve amerikanë ta pranojnë publikisht fundin e organizatës së Bin Ladenit dhe të mos flasin për të sikur të jetë ende një trupë e vetme me shtrirje globale.

Shuarja e Al-Qaeda-s nuk nënkupton zhdukjen e terrorizmit apo të xhihadizmit. Grupe të rrezikshme vazhdojnë të veprojnë në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi. Zhvillime të reja gjeopolitike, mes tyre edhe lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, mund të ushqejnë ndjenja antiamerikane dhe të nxisin dhunë të re.

Megjithatë, sipas ekspertëve, organizata që planifikoi dhe realizoi sulmet e 11 shtatorit nuk funksionon më.

Lufta 25-vjeçare kundër Al-Qaeda-s nisi pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, kur mijëra amerikanë u angazhuan në operacionet ushtarake dhe përpjekjet e sigurisë kundër përgjegjësve. Konfliktet që pasuan patën një kosto të jashtëzakonshme njerëzore.

Mbi 15 mijë ushtarakë dhe kontraktorë amerikanë humbën jetën në luftime, ndërsa rreth 1.8 milionë persona u përballën me pasoja të rënda shëndetësore. Nga viti 2012 deri në vitin 2021, numri i ushtarakëve aktivë dhe veteranëve që vdiqën nga vetëvrasja ishte katër herë më i lartë se numri i atyre që humbën jetën në luftime.

Në operacionet ushtarake morën pjesë edhe aleatët e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht Kanadaja, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe. Qindra ushtarë nga këto vende u vranë.

Ekspertët vlerësojnë se SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk arritën ta fitonin luftën në Afganistan, por realizuan një objektiv tjetër: shkatërruan Al-Qaeda-n e drejtuar nga Bin Ladeni.

Kërcënimi nga grupet xhihadiste, megjithatë, vazhdon. Organizata të armatosura veprojnë në Gadishullin Arabik, Bririn e Afrikës, Afrikën e Veriut, Sahel dhe Azinë Jugore.

Disa prej tyre kanë kryer sulme, kanë marrë nën kontroll territore dhe kanë kërcënuar stabilitetin e qeverive në vende si Mali, Somalia dhe Jemeni. Në Afganistanin nën qeverisjen e talebanëve vijojnë gjithashtu të stërviten militantë të ndryshëm xhihadistë.

Por analiza nënvizon se këto grupe nuk varen më nga organizata qendrore e ndërtuar nga Bin Ladeni. Për këtë arsye, cilësimi i tyre të vazhdueshëm si “degë të Al-Qaeda-s” mund të krijojë një ide të ekzagjeruar për fuqinë dhe nivelin e koordinimit të tyre.

Përpara 11 shtatorit, Al-Qaeda qendrore kishte organizuar një varg sulmesh ndaj objektivave amerikane. Në këtë listë përfshihen sulmi i vitit 1993 kundër World Trade Center, bombardimi i Khobar Towers në vitin 1996, sulmet ndaj ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998, si dhe goditja ndaj anijes USS Cole në vitin 2000.

Pas vitit 2001, përpjekjet e organizatës për të goditur territorin amerikan u dobësuan ndjeshëm. Ndër rastet e përmendura janë tentativa për vendosjen e një bombe në këpucën e një pasagjeri në vitin 2001 dhe komploti i dështuar për një sulm kamikaz në metronë e Nju Jorkut në vitin 2009.

Gjatë viteve pas 9/11, Al-Qaeda shkaktoi viktima të shumta edhe në vende aleate të SHBA-së, përmes sulmeve në Bali, Riad dhe Londër.

Megjithatë, pas kulmit të saj në fillim të viteve 2000, terrorizmi xhihadist nisi të dominohej nga organizata të tjera. Sipas analizës, pas vitit 2009 veprimtaria globale e Al-Qaeda-s qendrore praktikisht u shua.

Një kthesë vendimtare ishte vrasja e Osama bin Ladenit në Abbottabad të Pakistanit, në maj 2011. Forcat amerikane sulmuan kompleksin ku ai fshihej dhe e vranë liderin e Al-Qaeda-s. Trupi i tij u varros në det, për të mos lejuar krijimin e një vendi simbolik pelegrinazhi për mbështetësit e tij.

Me rëndësi ishin edhe dokumentet e marra gjatë operacionit. Ato zbuluan se Bin Ladeni prej kohësh nuk ushtronte kontroll të drejtpërdrejtë mbi operacionet e organizatës.

Vdekja e tij nuk e zhduku menjëherë Al-Qaeda-n, por e dobësoi rëndë kohezionin e saj dhe aftësinë për t’u mobilizuar rreth figurës së liderit.

Fushata amerikane me dronë, e nisur gjatë administratës së George W. Bush dhe e zgjeruar ndjeshëm gjatë presidencës së Barack Obamës, goditi drejtues dhe militantë të Al-Qaeda-s në Afganistan, Pakistan, Somali dhe Jemen.

Këto operacione dëmtuan strukturën e organizatës dhe eliminuan militantë të përfshirë në përgatitjen e sulmeve kundër SHBA-së.

Por përdorimi i dronëve prodhoi edhe pasoja të padëshiruara. Sipas analizës, propagandistët xhihadistë i shfrytëzuan sulmet amerikane si argument për rekrutimin e militantëve dhe për nxitjen e ndjenjave antiamerikane.

Për këtë arsye, dronët patën rëndësi në planin taktik, por nuk përbënin faktorin kryesor që çoi në fundin e Al-Qaeda-s. Më të rëndësishme rezultuan bashkëpunimi mes shërbimeve amerikane dhe atyre të vendeve aleate, lufta kundër financimit të terrorizmit, sistemet biometrike dhe shkëmbimi i të dhënave të inteligjencës.

Dobësimi i organizatës erdhi edhe si pasojë e veprimeve të saj. Sulmet ku vriteshin civilë myslimanë shkaktuan reagime negative në komunitetet që Al-Qaeda pretendonte se përfaqësonte. Edhe Bin Ladeni e kuptonte këtë rrezik.

Mbështetja për të ra ndjeshëm në disa vende myslimane. Në Indonezi, ajo zbriti nga 59% në vitin 2003 në 26% në vitin 2011. Në Jordani, nga 56% në 13%, ndërsa në territoret palestineze nga 72% në 34%.

Në Pakistan, vendi ku Bin Ladeni ishte fshehur, mbështetja për të u ul nga 46% në vitin 2003 në vetëm 18% në vitin 2010.

Si rrjedhojë, një dekadë pas 11 shtatorit, ideja e Bin Ladenit për të bashkuar myslimanët nën flamurin e tij kishte humbur dukshëm terren.

Një tjetër goditje për Al-Qaeda-n ishte përplasja me Shtetin Islamik, ISIS. Ky grup e kishte origjinën si degë e Al-Qaeda-s në Irak, por më pas u shkëput dhe u kthye në rivalin e saj të drejtpërdrejtë.

Në vitin 2014, ISIS pushtoi zona të mëdha në Irak dhe Siri, ndërsa tërhoqi rreth 15 mijë luftëtarë të huaj nga 80 vende.

Ndryshe nga Al-Qaeda, e cila mbështetej kryesisht në një rrjet të decentralizuar, ISIS krijoi një strukturë territoriale dhe shpalli kalifatin e vet.

Kjo strategji doli fatale për organizatën. Përqendrimi në territore të përcaktuara e bëri atë objektiv të drejtpërdrejtë të operacioneve ushtarake, ndërsa brutaliteti ekstrem largoi pothuajse të gjithë kundërshtarët e mundshëm.

Deri në vitin 2019, një koalicion ndërkombëtar, në bashkëpunim me forcat irakiane, kurde dhe siriane, kishte rimarrë territoret e kontrolluara nga ISIS dhe kishte rrëzuar kalifatin.

Ndërkohë, Al-Qaeda kishte humbur terren në Irak dhe një pjesë të bazës së saj të rekrutimit, ndaj dëmi për të ishte tashmë i konsiderueshëm.

Në korrik 2022, rreth një vit pas tërheqjes amerikane nga Afganistani, Ayman al-Zawahiri, pasuesi i Bin Ladenit në drejtimin e Al-Qaeda-s, u vra nga një sulm me dron amerikan.

Reagimi i vakët pas vdekjes së tij u interpretua si një tjetër shenjë e dobësimit të organizatës qendrore.

Aktualisht, emri që lidhet me drejtimin e Al-Qaeda-s është Said al-Adel, për të cilin besohet se ndodhet në Iran. Megjithatë, ai nuk e ka shpallur publikisht veten lider të organizatës dhe aftësia e tij për të vepruar besohet të jetë tepër e kufizuar.

Kjo ka ngritur një pyetje themelore mes ekspertëve: nëse lideri i supozuar nuk është në gjendje të drejtojë një strukturë funksionale, atëherë çfarë ka mbetur realisht nga organizata?

Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që Al-Qaeda të përpiqet të riorganizohet ose të shfrytëzojë zhvillime të reja ndërkombëtare për të kryer sulme.

Megjithatë, organizata e ndërtuar nga Bin Ladeni dhe përgjegjëse për sulmet e 11 shtatorit nuk ekziston më. Shtetet e Bashkuara, në periudha të ndryshme, e përshpejtuan ose e ngadalësuan këtë proces, por në fund Al-Qaeda dështoi.

Kjo nuk do të thotë se rreziku terrorist është zhdukur. Grupet xhihadiste vazhdojnë të veprojnë dhe mund të përbëjnë kërcënim serioz.

Por, 25 vite pas 11 shtatorit, është thelbësore të ndahet Al-Qaeda e Bin Ladenit nga organizatat e tjera xhihadiste. Sipas ekspertëve, lufta kundër terrorizmit duhet të përqendrohet te kërcënimet reale të së tashmes, jo te një organizatë që tashmë është shpërbërë.


Shtuar 10.09.2026 22:19

sultanbeyli escortiptvCratosroyalbetonwinjojobetgrandpashabetcasibomcasibomcasibomHoliganbetHoliganbetPusulabetCratosroyalbetSuperbetinJojobetJojobetvize başvurumarsbahisgrandpashabetgrandpashabetonwinjojobetJojobetJojobetMarsbahispusulabetjojobetjojobetjojobetmarsbahismarsbahis girişbahsegelcasibomizmir escortjojobetMarsbahiscasibomcasibom girişsekabetzbahis