Një ngarkesë e re me speca, me peshë 9.502 kilogramë dhe me origjinë nga Maqedonia e Veriut, do të shkatërrohet pasi analizat laboratorike në Bullgari evidentuan praninë e mbetjeve të pesticideve që tejkalojnë kufirin maksimal të lejuar. Për pasojë, specat nuk u lejuan të hyjnë as në tregun bullgar, as në rrjetin e shpërndarjes brenda Bashkimit Evropian.
Të lidhura
None found
Ky parregullsi u zbulua gjatë kontrolleve të përforcuara që u kryhen frutave dhe perimeve të freskëta të destinuara për tregun vendor.
Agjencia Bullgare për Sigurinë Ushqimore ka njoftuar se e gjithë sasia do të dërgohet për asgjësim.
Ky është incidenti i dytë i kësaj natyre i regjistruar në më pak se një muaj. Në gusht, inspektorët bllokuan një ngarkesë prej 11.6 tonësh, ku analizat treguan praninë e pesticidit formetanat në përqendrim që kapërcente kufirin e lejuar.
Me shtimin e 9.5 tonëve të rinj, totali i specave nga Maqedonia e Veriut që nuk kanë kaluar kontrollin për të dalë në treg ka kaluar tashmë 21 tonë. Agjencia bullgare thekson se bëhet fjalë për dy dërgesa krejtësisht të veçanta, të zbuluara në kuadër të inspektimeve të shtuara.
Për ngarkesën e re, për momentin nuk është bërë i ditur lloji i substancës aktive të zbuluar, as vlera e përqendrimit të matur në laborator dhe as se sa është tejkaluar norma e lejuar. Gjithashtu, mbeten të panjohura vendi konkret i prodhimit në Maqedoninë e Veriut, pika kufitare përmes së cilës ka hyrë malli, seria e prodhimit dhe data e marrjes së mostrave.
Mungesa e këtyre të dhënave e bën të pamundur përcaktimin nëse të dyja ngarkesat lidhen me të njëjtin prodhues, qendër grumbullimi apo rajon bujqësor. Po kështu, nuk mund të vlerësohet serioziteti i rrezikut për shëndetin, pasi nuk dihen lloji dhe niveli i saktë i pesticidit të matur në ngarkesën e fundit.
Nga ana tjetër, autoritetet kompetente në Maqedoninë e Veriut, si Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë, ende nuk kanë dhënë shpjegime mbi origjinën e ngarkesës së re apo pesticidin e identifikuar.
